E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria hap ambasadën në Brazil

Shqipëria hap ambasadën e saj në një nga shtetet e mëdha të botës. Kryeministri Sali Berisha informoi dje mbi vendimin e qeverisë për "hapjen e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil". Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, Berisha e konsideroi Brazilin "një vend të madh dhe shumë të rëndësishëm" me të cilin janë hequr disa kohë më parë dhe vizat. "Në takimin e shkurtër që zhvillova në Pekin me Presidentin e Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, e informova se Shqipëria shumë shpejt do të hapë ambasadën e saj në vendin e tij të madh", - tha Kryeministri Berisha. Pas heqjes së vizave me Brazilin, Kryeministri Berisha vlerësoi se "hapja e ambasadës së Shqipërisë atje, do të jetë një hap tjetër që marrëdhëniet mes dy vendeve të njohin zhvillime të reja e të rëndësishme". Kryeministri Berisha nënvizoi se "Brazili është sot një vend demokratik, me rezultate dhe ngjitje të konsiderueshme, si dhe me peshë të madhe, jo vetëm në kontinentin amerikan, por më gjerë, edhe në mbarë botën".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›