E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Qeveria, tani e tutje pa “pasword”

Kryeministri Sali Berisha ka vendosur të fshijë “pasword-in” e qeverisë dhe gjithçka ta bëjë publike për median. Ai heq dorë nga të gjitha sekretet qeveritare për t’ia zbardhur tërësisht publikut, madje në mënyrë më të shpejtë se më parë çdo vendim të qeverisë. Z.Berisha siguroi dje se tani e tutje nuk do të ketë sekrete lajmesh për median, pasi Këshilli i Ministrave do të bëjë një tjetër transparencë për aktivitetet e saj. Publikimi i vendimeve të qeverisë do t’i paraprijë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Të paktën këtë siguri dha dje Kryeministri Berisha duke lënë të kuptohet se tashmë vartësit e tij nuk do të kenë më mundësi të nxjerrin asnjë lajm sekret për shtypin, pasi të gjitha do zbardhen paraprakisht në faqen zyrtare. Aktualisht, vendimet e qeverisë publikohen menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, por ndodh që jo të gjitha vendimet zbardhen në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. Por tani e tutje çdo vendim i qeverisë së drejtuar nga z.Berisha do të botohet para se të mblidhet kabineti qeveritar. Pikërisht, këtë gjë lajmëroi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave Kryeministri Sali Berisha. Ndonëse me të qeshur dhe duke parë drejtpërdrejt në sy secilin nga anëtarët e kabinetit, Berisha tha: “Tashmë s’do ketë sekrete për median pasi qeveria s’do ketë pasword”. Ndërsa duke iu drejtuar medias në momentet e fundit të mbledhjes së djeshme, Berisha vijoi duke thënë: “Vendimet do publikohen një ditë para se të mblidhet Këshilli i Ministrave dhe në këtë mënyrë media do t’i marrë vesh e para vendimet tona”. Në këtë mënyrë Kryeministri i vendit, i cili organizon çdo ditë të mërkurë mbledhjen e kabinetit qeveritar, shuan çdo kuriozitet të njerëzve të shtypit për ndonjë vendim të pazbardhur. Kjo, për faktin se aktualisht jo të gjitha vendimet futen në site-n e këshillit të ministrave, www.keshilliministrave.al, gjë që ka detyruar median sidomos atë të shkruar, që të kërkojë ndihmën e ndonjërit nga anëtarët e kabinetit për të gjetur qoftë dhe nën dorë vendimet “e fshehura”. Por pas deklaratës së djeshme të Kryeministrit, në rast se zbatohet, medias do t’i serviret çdo vendim dhe para se të mblidhet kabineti qeveritar. Ende nuk dihet se si do të procedohet me ato vendime që nuk miratohen në mbledhjen respektove, pasi jo të gjitha marrin ok-in e qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›