Rama nga SHBA-ja: Bashkimi politik, edhe pa LSI-në
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se e majta do te jetë e bashkuar pavarësisht nëse ndonjë parti tjetër ndjek rrugën e politikës së vjetër. Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, Rama u shpreh se politika e tij bazohet përtej së majtës dhe së djathtës që është njohur në Shqipëri. “Ky bashkim po ndërtohet dhe këtu nuk ka rëndësi nëse një parti politike sillet në mënyrë të vjetër dhe do të vazhdojë në mënyrë të vjetër. Rruga jonë e re është rruga e bashkimit të ri. Këtë bashkim të ri ne po e bëjmë të mundur dhe përmes këtij bashkimi të ri ne duhet të fitojmë pa marrë parasysh një apo tjetër parti që vazhdon me mendësinë e vjetër me punën e politikës së vjetër, me akuzat dhe mllefin e vjetër. Mllefi nuk është program, me të nuk ndërtohet e ardhmja. Ne duam të ndërtojmë të ardhmen me një program të ri përmes një politike të re, e cila do të jetë politika e të gjithë atyre që duan të ndahen nga politika e vjetër me një shfaqje banale luftërash personale e një monopoli zanatçinjsh politikanësh e një grushti njerëzish të cilët duhet t'i hapin rrugë një politike qytetarësh, me qytetarët dhe për qytetarët”, - tha Rama. Kryetari socialist ka anashkaluar pyetjet e gazetares së “VOA”-s, duke ripërsëritur disa herë se PS-ja do të largojë politikën e vjetër, që sipas tij mbizotëron prej 17 vitesh në Shqipëri. Pavarësisht se LSI-ja ka paralajmëruar se do të dalë e vetme në zgjedhje, Rama u shpreh i bindur se politika e re do të fitojë. Këtë deklaratë Rama e dha pas marrjes pjesë në konventën e demokratëve në Denver, kur kandidati Barack Obama pritet të jetë kandidati zyrtar për Presidentin e SHBA-së.