Vetëvaret greku në përvjetorin e vdekjes së gruas shqiptare
62-vjeçari grek Ilia Kondajanis është bërë gati për t’u varur dhe ka qëlluar dhe veten me një plumb në zemër
Memaliaj Një shtetas grek i martuar në qytetin e Memaliajt duket se nuk e ka përballuar psikologjikisht vdekjen e bashkëshortes së tij shqiptare, çka ka bërë që t’i japë fund jetës, në përvjetorin e ndarjes së saj nga jeta. Madje, 62-vjeçari grek Ilia Kondajanis, përpara aktit të vetëflijimit kishte përgatitur edhe pllakën e varrit të tij.
Njoftimi
Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, rreth orës 06.40 minuta të së dielës në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Tepelenë ka mbërritur një telefonatë e cila informonte se në katin e parë të një pallati, në lagjen nr.1 të qytetit të Memaliajt, ishte dëgjuar një krismë arme zjarri. “Për të parandaluar ndonjë ngjarje të rëndë, pasi bëhej fjalë për përdorimin e armës së zjarrit, në drejtim të vendngjarjes janë nisur forcat e policisë së Komisariatit të Memaliajt”, thonë burimet policore. Pasi mbërriti në vendngjarje, policia konstatoi se krisma e armës kishte ardhur nga një pallat që ndodhet pranë ndërtesës së Telekomit, Memaliaj. Sipas burimeve policore, arma e zjarrit ishte përdorur në një hyrje apartamenti të katit të parë, ku jetonte i vetëm shtetasi grek Ilia Kondajanis , 62 vjeç, nga Athina; pasi gruaja e tij shqiptare i kishte vdekur përpara dy vitesh. Pasi ekspertët policorë kanë hyrë në mjediset e brendshme të banesës, kanë gjetur të vetëvarur me litar 62-vjeçarin grek. Madje, policia ka konstatuar edhe një plagë në zemrën e tij, të shkaktuar nga qitja e një arme zjarri tip pistoletë, që u gjet në gjendje të lirë në dysheme. Mbështetur mbi provat e mbledhura, grupi hetimor ka arritur në përfundimin se bëhej fjalë për një vetëvrasje të dyfishtë, atë të vetëvarjes dhe vetëvrasjes me armë zjarri.
Vetëflijimi
Sipas policisë lokale, për të kryer aktin e vetëflijimit viktima ka zgjedhur ditën e dyvjetorit të vdekjes së gruas së tij. “Fillimisht 62-vjeçari ka lidhur një litar në një nga panelet metalike që mbante dushin dhe është vetëvarur dhe në momentin e vetëvarjes për të realizuar sa më shpejt vdekjen e menjëhershme ka qëlluar veten në zemër me një plumb pistolete dhe më pas arma e zjarrit ka rënë në gjendje të lirë te këmbët e viktimës”, thonë burimet policore. Sipas grupit hetimor, shkaku i këtij veprimi ekstrem ka qenë gjendja jo e mirë shëndetësore e viktimës, pasi prej një viti ai vuante nga depresioni, si shkak i vdekjes së bashkëshortes së tij shqiptare. Policia në trupin e viktimës nuk ka gjetur asnjë shenjë dhune apo dëmtimi tjetër. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pistoletë tip Zastava, të cilën viktima e kishte mbajtur pa leje, gëzhojën si dhe litarin që 62-vjeçari kishte përdorur për t’u vetëvarur. Gjithashtu, mes provave materiale të sekuestruara nga policia, është edhe një pllakë varri me të dhënat e tij, datën dhe vitin e lindjes si dhe datën e vdekjes së tij, ditën e diel, së bashku me fotografinë, të cilën i ndjeri e kishte bërë gati para se të vetëvritej. Bledar Shehu