E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Moratoriumi për skafet nuk hiqet sa të jem në qeveri”

Autori i Lajmit: Redaksia
Moratoriumi i skafeve do të vazhdojë për sa kohë që unë të jem në qeveri. Kështu ka pohuar dje kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, ku u shqyrtua përmbushja e detyrimeve të mbetura nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Berisha u shpreh se procesi i heqjes së vizave përbën një tërësi detyrimesh për qeverinë dhe autoritetet shqiptare, detyrime këto që po përmbushen me vendosmërinë më të lartë. “Në këtë kontekst ka një progres thelbësor në kontrollin e kufijve. Sistemet më moderne të kontrollit të kufijve, por edhe të kontrollit të kriminalitetit, janë në funksionim të plotë në pikat kufitare dhe në qarqet e vendit”, - tha ai. Kryeministri theksoi më tej zbatimin e moratoriumit të skafeve si një ligj shumë të rëndësishëm. “Moratoriumi për skafet hyn në fuqi së shpejti, dëshmi kjo e një vullneti të kësaj mazhorance që industria e mafies, pasi skafet janë industri e mafies, të mos mund të zhvillohet më në brigjet tona. Këtu dua të theksoj se heqja e këtij Moratoriumi është e pashpresë për sa kohë kjo mazhorancë të jetë në pushtet. Nuk do të ketë skafe në ujërat tona. Ky është qëndrim politik. Ne e shpallim para çdo fushate dhe shqiptarët le ta vlerësojnë. Kjo nuk lidhet me heqjen apo mosheqjen e vizave, kjo është një politikë konstante e qeverisë”, - garantoi numri një i Qeverisë. Po me kaq rëndësi shtoi ai është edhe ligji kundër krimit të organizuar, i cili shënon një kapitull të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik. “Me këtë ligj, tha Berisha, mafia, e cila gjatë këtyre viteve është fuqizuar në prona, duhet të humbasë çdo lloj pushteti ekonomik. Më tej, kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Brendshme të shohë mundësitë, të hyjë në tratativa me kompaninë e prodhimit të pasaportave që në disa zona, ku përqendrimi i popullsisë është më i madh, të mund të hapen zyra të reja. Kryeministri njoftoi se gjatë javëve që vijnë, do të ketë dy inspektime nga Komisioni Evropian lidhur me përmbushjen e detyrimeve dhe se duhet që të avancohet çdo detyrim që rrjedh nga udhërrëfyesi. Në këtë aspekt, u shpreh Kryeministri, - i tërë kuadri ligjor i domosdoshëm, çfarë ka mbetur pa kompletuar, duhet të kompletohet brenda muajit shkurt.

Kryeministri: “Komision për zbatimin e ligjit antimafia”

Zbatimi i ligjit Antimafia do të monitorohet nga një komision i veçantë. Ky pohim u bë dje nga kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Sipas Berishës, ligji që pritet të hyjë në fuqi brenda disa ditëve, është vendimtar për çmontimin e mafias. "Ligji për konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar hyn tani në fuqi. Një komitet i veçantë do të ngrihet për të mbikëqyrur zbatimin e këtij ligji. Zbatimi i tij është kusht vendimtar për çmontimin e mafies, konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vend”, - tha Berisha. Ai ngulmoi se po bëhen përpjekje të mëdha për të çmontuar me forcën e ligjit pasuritë e mëdha të përvetësuara nga pushtetarët e të gjitha niveleve gjatë këtyre 18 viteve që kanë bërë batërdinë mbi zonat publike. “Unë kam deklaruar se Mali i Dajtit është më i vogël se sa falsifikimet që kanë bërë në zonat më turistike dhe më të kushtueshme të vendit”, - u shpreh Berisha, i cili renditi dhe prioritetet e Parlamentit. “Janë një seri vendimesh dhe ligjesh që do të miratohen gjatë 2-3 javëve që vijnë, për ti dhënë përgjigjet më përfundimtare këtij procesi. Ligji për Moratoriumin e skafeve, që ndodhet në Parlament, pret firmën tuaj, votën tuaj, për të dërguar mesazhin më të shkëlqyer të vendosmërisë së autoriteteve shqiptare për luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Ligji për konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar, hyn tani në fuqi. Ndërkohë, do të ngrihet një komitet i veçantë për të mbikëqyrur zbatimin e këtij ligji, zbatim i cili është jetik e vendimtar për çmontimin e mafies, konsolidimin e paqes, sigurisë e stabilitetit në vend”, - tha Berisha. Me tej kryeministri u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që disponojnë të dhëna, ti dorëzojnë ato, në interesin më të mirë të vendit për të denoncuar aktet korruptive të pushtetarëve që grabisin tokat. “I garantoj se, në përputhje me ligjin, ata do të shpërblehen. Ju do të thoni se përse unë ftoj qytetarët të dorëzojnë dëshmi me dokumente. Sepse ata që kanë grabitur e plaçkitur, kanë përdorur edhe pushtetin e tyre për të zhdukur, për të mykur, për të pluhurosur sa më shumë dokumentet. Beteja është e vështirë, presionet janë të mëdha dhe të jashtëzakonshme, vullneti është i hekurt. Asgjë nuk mund të pengojë këtë mazhorancë të nxjerrë në dritën e diellit të gjitha të vërtetat e makutërisë së pafundme të ushtruar, të abuzimit të jashtëzakonshëm që është bërë. Numri i pronarëve të regjistruar në mënyrë të paligjshme, ka rrezik, tejkalon qartë atë të pronarëve të vërtetë”, - tha kreu i qeverisë.

Ky lajm është publikuar: 26/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›