E Diel, 1 Nëntor 2026

Anulohen kredencialet KE: “Delegacioni jo sipas rregullave”

Autori i Lajmit: S. TopiAsambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka ngrirë kredencialet e delegacionit shqiptar duke i mohuar atij edhe të drejtën e votës. Vendimi për të mos pranuar delegacionin përfaqësues të Shqipërisë, është pasuar me deklaratën se ky delegacion nuk ka të drejtën e votës në punimet e Asamblesë. Në Strasburg për të përfaqësuar Shqipërinë në hapjen e sesionit të dimrit në Asamblenë Parlamentare të KE-së, ndodhen deputetët demokratë Ilir Rusmali, Lajla Përnaska dhe Shpëtim Idrizi, ndërkohë që ka munguar Kastriot Islami. Kërkesa për ngrirjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar u bë nga grupi socialist në Asamble. Ata kërkuan që kredencialet të ngrihen bashkë me të drejtën e votës, duke akuzuar madje për cenim të marrëdhënieve mes vendit tonë dhe Asamblesë Parlamentare të KE-së. Në axhendën e Asamblesë, lidhur me Shqipërinë, është diskutimi të enjten i situatës në Shqipëri, dokumenti i raporterëve Lakso dhe Uillshajër për gjendjen politike në Shqipëri si dhe incidenti i ndodhur së fundi me përbërjen e delegacionit. Ky dokumentacion i bërë tashmë publik ka qenë mjaft kritikues për vendin tonë.
Vendimi
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës hapi dje sesionin e dimrit në një seancë ku është konfirmuar përbërja e delegacioneve përfaqësuese të vendeve anëtare. Ky moment nuk ka qenë shumë pozitiv për vendin tonë, ndërsa Asambleja konfirmoi përbërjen e delegacioneve të të gjitha vendeve anëtare, duke përjashtuar atë të Shqipërisë dhe Armenisë. Parlamentarët evropianë bënë thirrje që delegacioni armen të kompozohet brenda rregullave pa sqaruar më tej çfarë nënkupton kjo. Lidhur me Shqipërinë burimet nga KiE kanë sqaruar se çështja do të kalojë për tu shqyrtuar në Komitetin e Procedurave, Imuniteteve dhe Çështjeve Institucionale. Do të jetë në axhendë të enjten në rendin e parë të ditës. Deri në sqarim të çështjes, Shqipëria nuk ka të drejtë vote.
Kërkuesi
Ai që e ka ngritur si çështje është Andreas Gross (ka qenë kryetar i komisionit) dhe ka marrë 10 vota që të mbështetet si propozim. “Zoti President, unë dëshiroj të ngre problemin e kredencialeve të delegacionit shqiptar. Ne kemi informacion të mjaftueshëm që delegacioni që na është propozuar nuk përfaqëson përbërjen e Parlamentit shqiptar siç duhet sipas rregullave tona”, - ka thënë Gross. Pas diskutimeve, dje është pranuar përbërja e delegacionit përfaqësues të Armenisë, pasi u vendos heqja e një anëtari të Partisë së Trashëgimisë, zotit Zaruhi Bostanjyan, nga lista e anëtarëve të përhershëm. Kryetari i Parlamentit, Hovik Abrahamyan, ka konfirmuar më pas anëtarët e delegacionit armen. Në delegacionin e Shqipërisë pak ditë më parë u përfshinë edhe deputetët Shpëtim Idrizi dhe Kastriot Islami. Ky i fundit nuk është betuar dhe nuk ka qenë i pranishëm këtë sesion në Parlamentin e Shqipërisë, ndërsa PS e konsideroi emërimin e tij si një diversion të kryeparlamentares Topalli në adresë të së majtës.

Deputeti turk në krye të Asamblesë Parlamentare të KE-së

Kryetari i ri i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pritet të zgjidhet një deputet i Partisë turke për Drejtësi dhe Zhvillim. Mevlut Çavushollu është kandidati i vetëm dhe është kandiduar nga grupi i Demokratëve Evropianë. Ai pritet të zgjidhet dhe të zëvendësojë kryetarin aktual të PACE-s, Luis Maria de Puc. Çavushollu, i cili është në krye të delegacionit turk në PACE, do të jetë parlamentari i parë turk që do të marrë këtë funksion të lartë. Turqia është njëra nga anëtaret themeluese të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të formuar në vitin 1949. Pas zgjedhjes së Çavushollusë, Turqia do të marrë për gjashtë muaj kryesinë rotative të Komitetit të Ministrave - organ i Këshillit të Evropës, i cili merr vendime.

Kriza politike përcillet edhe në KE

Kriza politike në vend dhe bojkoti i opozitës janë reflektuar edhe me paraqitjen e delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, që nisi dje punimet e sesionit të ri për vitin 2010. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka nisur ditët e fundit një letër Këshillit të Evropës, ku e njofton për delegacionin e ri parlamentar shqiptar në Strasburg si edhe emrat zëvendësues. Kështu, sipas vendimit të Topallit, si përfaqësues të PD-së janë sërish deputeti Ilir Rusmajli, i cili do të mbajë edhe postin e kreut të delegacionit shqiptar, si edhe deputetja demokrate Lajla Përnaska. Pjesë e delegacionit është edhe Kryetari i PDU-së, deputeti çam Shpëtim Idrizi, i cili është cilësuar si përfaqësues i opozitës. Ndërkaq, Partisë Socialiste për shkak të bojkotit parlamentar i është lënë vetëm një vend i paplotësuar. Në listën e zëvendësuesve sërish Topalli ka përfshirë dy përfaqësues të djathtë, deputetet Arenca Trashani dhe Mesila Doda. Kësaj liste i është bashkangjitur edhe deputeti socialist Kastriot Islami, i cili siç evidentohet në njoftimin e KE-së, nuk përcaktohet se cilës partie i përket. Por duket se lista e mësipërme i është dërguar Këshillit të Evropës nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në kundërshtim me normat që përcakton vetë Rregullorja e këtij institucioni. Emrat e përzgjedhur nga Topalli nuk kanë kaluar në procedurat normale, pasi nuk janë diskutuar dhe miratuar as në Konferencën e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare dhe ajo që është më e rëndësishme nuk janë miratuar as në seancë plenare. Shkelja e kësaj procedure përbën një rast të përsëritur të kryeparlamentares Topalli, pasi edhe një vit më parë ajo shkarkoi dhe zëvendësoi në këtë delegacion Aleksander Biberajn, pa marrë një vendim më parë në seancë plenare.

Biberaj: “Topalli shkeli rregullat e Parlamentit dhe të KE-së”

Ish-kreu i delegacionit tonë në Këshillin e Evropës, Aleksandër Biberaj, fajëson Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, për incidentin e krijuar dje me delegacionin shqiptar në KE. Ai ka pohuar se nuk është zbatuar Rregullorja e Parlamentit të Shqipërisë për miratimin e delegacionit në Konferencën e Kryetarëve dhe më pas në seancë plenare po ashtu nuk janë zbatuar dhe rregullat e balancës të vendosura nga Asambleja. Ndërsa kujton dhe incidentin e para një viti kur ai u zëvendësua, Biberaj shton se kjo çështje do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e mëtejshme mes KE-së dhe Shqipërisë.
Zoti Biberaj, si e konsideroni vendimin e Asamblesë së Këshillit të Evropës për të ngrirë kredencialet e delegacionit shqiptar?
Mendoj se spikerja e Parlamentit ka shkelur dhe Rregulloren e Parlamentit shqiptar, por dhe Rregulloren e Këshillit të Evropës në kompozimin e delegacionit, sepse e para punës delegacioni nuk është miratuar në Konferencën e Kryetarëve dhe në seancë plenare, për sa i përket pjesës së Shqipërisë. Për sa i përket raportit me Këshillin e Evropës, në rregullore parashikohet qartë ruajtja e balancave politike çfarë do të thotë që delegacioni duhet të jetë i kompozuar nga mazhoranca dhe opozita. Por që i gjithë Parlamenti të emërojë përfaqësuesit e opozitës në delegacionet parlamentare ndërkombëtare mendoj se është një goditje që i bëhet demokracisë dhe, natyrisht, është një dëmtim i rëndë i imazhit të Shqipërisë në raport me këto institucione.
Bazuar në rregulloren e Këshillit të Evropës sot seanca plenare ka vendosur në njëfarë mënyre dhe ngrirjen e kredencialeve për delegacionin shqiptar. Natyrisht, ky është një zhvillim negativ për Shqipërinë, por përgjegjësinë duhet ta mbajnë ata që e kanë shkaktuar këtë gjë.
Mendoni se do të ndikojë ky vendim dhe në marrëdhëniet e mëtejshme me Këshillin e Evropës?
Natyrisht që marrëdhëniet me KE-në kanë një histori të caktuar, kanë një të shkuar, një të ardhme, por të gjitha këto gjëra që po ndodhin në harkun kohor të një viti, mendoj se dëmtojnë rëndësi imazhin e Shqipërisë. Kujtoj se po e njëjta situatë ka ndodhur dhe para një viti, e njëjta situatë përsëritet dhe sot dhe natyrisht që politika evropiane ka rastin për të parë me të vërtetë se çfarë niveli politik ka lidershipi shqiptar.
Si i vlerësoni marrëdhëniet e deritanishme me KE-në, si kanë qenë ato?
Historia e marrëdhënieve me Këshillin e Evropës, natyrisht, ka pasqyruar gjendjen politike në Shqipëri, pra ka pasur uljet dhe ngritjet e veta, por do të thosha se katërvjeçari i fundit ka qenë katërvjeçari i konsolidimit të këtyre marrëdhënieve me KE-në. Delegacioni ka qenë shumë aktiv në të gjitha instancat drejtuese në KE. Është hera e parë që mazhoranca dhe opozita lidhur me interesin e shqiptarëve kanë qenë të sinkronizuar. Pra duke kapërcyer dhe diferencat politike për çështjet shqiptare, kanë mbajtur qëndrime të sinkronizuara. Pikërisht kjo punë katërvjeçare e delegacionit arriti që të zhbëhet me këtë vendim, çka shkaktoi dhe debat dhe ngrirjen e kredencialeve të delegacionit. Ka një vit që delegacioni nuk është aktiv, natyrisht dhe për shkak të zhvillimeve politike në Shqipëri. E njëjta histori përsëritet dhe sot kur Kuvendi përcakton përfaqësuesit e opozitës duke shënuar në njëfarë mënyre dhe fundin e demokracisë. Ky veprim të rikujton kohën e vitit 89, kur Ramiz Alia dhe të tjerë përpiqeshin të krijonin një farë pluralizmi virtual.
Si mendoni se mund të rregullohen këto marrëdhënie të cenuara tashmë mes Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës?
Duhet që spikerja e Parlamentit të zbatojë rregullat e lojës. Të zbatojë parimet e demokracisë të vendit, por dhe në marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Shqipëria ka gjetur mbështetje për integrimin në NATO, kërkon mbështetje për integrimin në BE, por që kjo mbështetje të meritohet, duhet të tregojë vullnet demokratik.

Bisedoi: Suela Topi

Ky lajm është publikuar: 26/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›