E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori spanjoll njeh Topin e Topallin me përparësitë e BE-së

Shqipëria është pjesë e axhendës së Presidencës spanjolle për këtë gjashtëmujor. Një fakt i tillë iu konfirmua dje autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar nga ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, dhe ambasadori i Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, të cilët zhvilluan takime të veçuara me kreun e shtetit, Bamir Topi, dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në këto takime, diplomatët perëndimorë paraqitën programin politik dhe diplomatik të Presidencës spanjolle dhe përparësitë e saj gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Presidenti Topi edhe në këtë takim ritheksoi faktin se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është përparësi kryesore e politikës së jashtme shqiptare. Kryetari i shtetit u shpreh i bindur për bashkëpunim të plotë me Presidencën spanjolle dhe delegacionin e BE-së në Tiranë, me synimin e përbashkët të përshpejtimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane. Në këtë kontekst, Presidenti shprehu angazhimin maksimal të shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij për vazhdimin e luajtjes së rolit pozitiv dhe konstruktiv në rajon si dhe përmbushjen e kushteve dhe standardeve që do të mundësojnë si liberalizimin e regjimit të vizave, ashtu edhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Gjatë bisedës, personalitetet e larta diskutuan gjithashtu dhe për zhvillimet aktuale në vend, duke u përqendruar veçanërisht tek situata politike, si dhe në domosdoshmërinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik e institucional për vazhdimin e reformave jetike për vendin tonë, ku në mënyrë të veçantë u theksua rëndësia e reformës në drejtësi”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës. Në këtë takim, ambasadori Lohan dhe ambasadori Montobio shprehën mbështetjen e tyre për inkurajimin e forcimit të demokracisë dhe fuqizimit të rolit të institucioneve si dhe përmbushjen sa më parë të aspiratave integruese të popullit shqiptar.
Të njëjtat pikë u diskutuan edhe në takimin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, por në fund të takimit u bisedua edhe për zhvillimet politike në Shqipëri. “Parlamenti është vendi për opozitën. Bojkoti nuk është i mirë për vendin dhe për demokracinë”, - tha ambasadori spanjoll. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit tha: “Kushtetuta është e qartë dhe ajo do të zbatohet”. Kryetarja e Kuvendit i bëri urimet më të mira ambasadorit spanjoll për Presidencën spanjolle të BE-së. Ajo tha se Shqipëria ka besim te kjo presidencë për zgjerimin dhe heqjen e vizave, pasi shqiptarët janë populli më proevropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›