Mandatet, në Gjykatën Kushtetuese
Më datë 7 mars, sipas Kushtetutës së vendit, deputetët e PS-së që nuk do të hyjnë në Kuvend, nuk do të quhen më të tillë, pasi mandatet e tyre do të digjen, për shkak të mungesës 6-mujore në Parlament. Kjo është bindja e mazhorancës së sotme, e cila po u bën thirrje 64 deputetëve opozitarë që të lënë bojkotin e të kthehen në Kuvend para këtij afati që është përcaktuar në Kushtetutë. Megjithatë, dokumenti themeltar i vendit nuk flet për raste të tilla kur rrezikojnë të humbasin mandate të një partie dhe jo vetëm mandati i një personi të vetëm dhe duket se këtu ka vend për debat. Kreut të PS-së, Edi Rama, i pëlqen të thotë se nuk do të ketë djegie të mandateve të deputetëve të partisë së tij edhe pas datës 7 mars. Ai nuk e merr mundimin të sqarojë juridikisht këtë argument, por i qetëson deputetët, të cilët po i binden për bojkotin, duke u thënë se mandatet ua ka dhënë populli e kësisoj s’mund t’ua marrë Berisha. Por janë të paktën 4 deputetë që e kanë bërë të qartë se nuk do të shkelin Kushtetutën dhe do të bëhen pjesë e Kuvendit para datës së parashikuar si afati përfundimtar. Për ta bindur Ramën në argumentet e tyre pritet që ata t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për një interpretim të nenit të posaçëm që bën fjalë për këtë situatë. Deputeti Arben Malaj, një figurë me peshë në PS dhe aktualisht një kundërshtar i linjës së bojkotit, ia bëri të qartë këtë lëvizje Ramës që në mbledhjen e Asamblesë, duke ia shtruar në formë pyetjeje nëse ai bindej se po shkelej Kushtetuta pas një qëndrimi të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkaq, Malaj është shprehur se po e merr në konsideratë një ankimim të tillë për të vënë në lëvizje këtë organ të lartë të gjyqësorit, i cili është i vetmi organ që bën interpretimin e Kushtetueses së vendit. “Besoj se rruga më e mirë është që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese pas letrës së Jozefina Topallit, meqenëse është hapur një debat dhe ky precedent të mbyllet një herë e mirë në mënyrë që funksionimi ligjor i shtetit shqiptar të jetë sa më i mirë”, - tha ai në median vizive. Sipas Malajt, demokracia shqiptare nuk duhet të ketë momente të tilla të paqarta. Nga ana tjetër, ai ka bërë të qartë se mandatin e tij e sheh si përgjegjësi ndaj elektoratit dhe nuk ka ndërmend të djegë mandatin e katërt si deputet që i kanë dhënë votuesit e tij në Vlorë. Por, ndryshe e perceptojnë mandatin e deputetit ata që po mbrojnë bojkotin dhe që shprehen se mandatet janë në shërbim të partisë dhe jo individuale. Ndërkaq, frika e një përjashtimi nga partia për deputetët që do të thyejnë bojkotin, duket se nuk është aq reale, pasi Rama deri më tani nuk është shprehur për këtë gjë. Ndërsa deputeti dhe njëkohësisht kryetari i degës së PS-së së Tiranës, Besnik Bare, ka deklaruar se të pestë deputetët e PS-së që kanë deklaruar se do të futen në Kuvend, nuk do të përjashtohen. "Partia Socialiste nuk i ngrin dhe nuk i përjashton deputetët që kanë mendime ndryshe”, - theksoi Bare, duke shtuar: “Opozita ka demokraci të brendshme”, - tha ai dje për Ora News.