E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorja britanike kërkon heqjen e imunitetit dhe luftë korrupsionit



Eljona Ballhysa
Pas deklaratës së bërë një ditë më parë nga ambasadori i SHBA-ve në Tiranë për heqjen e imunitetit zyrtarëve të lartë, dje ka ardhur thirrja e dytë nga një tjetër diplomate e rëndësishme, ambasadorja britanike. Fiona McIlëham, gjatë fjalës së mbajtur në prezantimin e raportit për pasurinë e zyrtarëve të lartë në Shqipëri, u shpreh se imuniteti ekziston për të mbrojtur institucionet dhe jo individët. Kjo deklaratë e saj vjen vetëm një ditë pas thirrjes së bërë nga ambasadori Withers, i cili i kërkoi qeverisë shqiptare që të heqë imunitetin e deputetëve dhe të zyrtarëve të lartë, duke u shprehur se ky imunitet nuk duhet të përdoret si strehë nga personat e inkriminuar. Duket se diplomatët e huaj në Tiranë po ushtrojnë presion ndaj qeverisë për heqjen e imunitetit, për shkak se imuniteti është gjendur si pretekst për të pezulluar dy çështje të bujshme gjyqësore. Për shkak të imunitetit, Gjykata e Lartë pezulloi pak kohë më parë çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, një ndër të akuzuarit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Ndërsa më shumë se një vit më parë, po kjo gjykatë, pezulloi çështjen ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, i akuzuar për abuzime me fondet e rrugës Durrës-Kukës.
Qëndrimi
“Imuniteti ekziston për të mbrojtur institucionet dhe vlerat që ato përfaqësojnë, dhe jo individët në vetvete. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ata që nuk kanë se çfarë të fshehin, nuk duhet të kenë frikë, por ne duhet të punojmë për të forcuar ndjenjën e përgjegjësisë në institucionet publike në Shqipëri. Qeveria duhet të punojë shumë për të fituar besimin e publikut në institucionet shtetërore”, - është shprehur ambasadorja britanike në Shqipëri, Fiona McIlëham. E pyetur për deklaratën e bërë nga ambasadori Withers, ambasadorja u shpreh se janë institucionet shqiptare ato që vendosin nëse duhet hequr apo jo imuniteti, ndërsa theksoi se imuniteti ekziston për të mbrojtur cilësinë e institucioneve, pavarësinë e tyre, dhe jo individët apo drejtuesit e këtyre institucioneve. Kjo deklaratë e ambasadores u bë dje gjatë prezantimit të një raporti të financuar nga Ambasada Britanike në Shqipëri, mbi zbatimin e ligjit për deklarimin dhe verifikimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë në Shqipëri. Lidhur me këtë, ambasadorja britanike kërkoi luftë me zero tolerancë ndaj korrupsionit. Duke iu referuar Progres-Raportit të KE-së, ajo dhe tha korrupsioni vazhdon të mbetet ende një çështje problematike në Shqipëri, që pengon proceset integruese të vendit në Bashkimin Europian.
Korrupsioni
“Korrupsioni mbetet ende një problem serioz dhe i përhapur në Shqipëri. Progres-Raporti i KE-së thekson gjithashtu zhvillimin e rolit dhe kapacitetit të medias dhe shoqërisë civile në jetën publike dhe konkretisht në rastin e luftës kundër korrupsionit. Ai thekson gjithashtu edhe rritjen e besimit të publikut te institucionet, dhe kjo do të ishte vitale për reformën demokratike dhe më gjerë në Shqipëri”, - është shprehur ambasadorja britanike.
Procesi i deklarimit të pasurisë, sipas saj, duhet të bazohet te profesionalizmi dhe duhet të jetë një proces i drejtë. “Ky proces nuk duhet të kthehet në një gjueti shtrigash ose t'i nënshtrohet një procesi selektiv dhe të krijojë problem politik. Ai duhet të jetë i qetë, neutral, dhe jo kundërshtues”, - vijoi ajo. Ambasadorja theksoi domosdoshmërinë e forcimit të kapaciteteve mbikëqyrëse të administratës dhe organeve të tjera të auditimit në luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit. “Shoqëria civile dhe kjo iniciativë do të ndihmojnë në përshpejtimin e këtij procesi, por shoqëria civile e vetme nuk mund ta bëjë dot këtë gjë dhe nuk mund të çrrënjosë korrupsionin”, - tha McIlëham. Ambasadorja britanike theksoi gjithashtu se lufta kundër korrupsionit është shumë e rëndësishme edhe në kuadrin e reformës në Gjyqësor.

26 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›