Berisha: “Nuk njoh imunitet të deputetëve të maxhorancës”
Pas deklaratave të ambasadorëve të prezencave ndërkombëtare në Shqipëri për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë, ka reaguar dje kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk e njeh imunitetin për deputetët dhe ministrat e partisë së tij. Berisha ngarkoi me përgjegjësi opozitën për mosmiratimin në Kuvend të ligjit për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. “Qëndrimi i maxhorancës njihet tashmë, që është pro heqjes së imunitetit të deputetëve. Unë garantoj se çdo kërkesë nga organet e Prokurorisë dhe organet gjyqësore për heqjen e imunitetit të deputetëve do të jetë automatikisht e pranueshme. Jemi kundër çdo imuniteti të deputetëve. Ne kemi dërguar ligjin në Parlament, por opozita nuk e votoi. Atëherë ne do të praktikojmë qëndrimin e njëanshëm, që nënkupton se çdo kërkesë nga Prokuroria dhe Gjyqësori për heqjen e imunitetit të deputetëve do të jetë automatikisht e pranueshme”, - është shprehur kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, ai u shpreh se maxhoranca ka të drejtë të mos ia njohë vetes imunitetin. “Ka pasur raste që maxhoranca, kur e ka kërkuar Gjyqësori, ua ka hequr imunitetin deputetëve të saj”, - tha kryeministri.
26 Tetor 2009