E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorja britanike mbështet deklaratën e Bosch

09/09/2009  Shtohen zërat kundër Ramës për bojkotin e punimeve

OSBE: Debatet politike bëhen në Kuvend

Shtohen zërat që nuk e përkrahin vendimin e Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin. Diplomatët e huaj të akredituar në vendin tonë i sugjerojnë kësaj force politike të zënë vendet që u takojnë në parlament. Një ditë pas deklaratës së kreut të Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosch, kundër bojkotit të opozitës është deklaruar dje edhe ambasadorja britanike në Tiranë Fiona Mcllwham. Ajo, ashtu si edhe Bosch, ka mbajtur qëndrim kritik ndaj vendimit të selisë rozë. “Për sa i përket bojkotit të opozitës ka pasur një deklaratë të OSBE-së një ditë më parë dhe ne jemi dakord me atë qëndrim”, ka përmbledhur qëndrimin e vendit të saj për këtë çështje Mcllwham. Para dy ditëve OSBE-ja përmes kreut të saj u shpreh kundër bojkotit të Kuvendit nga Partia Socialiste. Bosch tha se debatet politike bëhen në Kuvend, nisur dhe nga logjika që tejkalon qëndrimet personale të partive, që ka të bëjë me integrimin evropian të vendit. OSBE-ja është një nga institucionet e rëndësishme ndërkombëtare që PS-ja ka thirrur për ta asistuar në procesin e verifikimit të parregullsive me zgjedhjet.

Ndërkohë që nga kampi blu bojkoti i PS-së dhe kushtet e saj për hyrjen në parlament konsiderohen si një alibi që kryetari socialist Rama do të përdorë deri në rizgjedhjen e tij. “Qëndrimi i PS-së ka të bëjë më tepër me kongresin e PS-së, me zgjedhjen e kryetarit të saj. Ndoshta deri në atë fazë bojkoti do të zgjasë, pasi Edi Rama e ka ngritur fabulën e tij postelektorale mbi manipulimin e zgjedhjeve dhe mbi faktin që nuk ka humbur. Për këtë arsye nuk do të largohet nga PS-ja. Ai po përdor praktikisht parlamentin, mungesën e grupit të tij parlamentar në parlament për të justifikuar tezën e tij se janë manipuluar zgjedhjet dhe për këtë arsye nuk do të japë dorëheqje”, deklarohet deputeti demokrat Mark Marku. Votimi për kryetarin e ardhshëm të PS-së mes kandidaturës së kryetarit aktual Rama dhe kandidatit Maqo Lakrori do të zhvillohet në fund të këtij muaj, më 26 shtator.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›