E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbyten nga ujërat e zeza 18 familje korçare

09/09/2009  Bashkia asnjë ndërhyrje në kanalizim. Holandezët ngritën banjë publike

Banorët: Po rëndohet gjendja shëndetësore e fëmijëve të sëmurë kronik

KORÇE- Përmbyten krejtësisht nga ujërat e zeza 18 familje të qytetit të Korçës, të cilat jetojnë pranë ish - Ndërmarrjes Gjeologjike. Që prej dy vjetësh nga ana e Bashkisë së Korçës nuk është kryer asnjë investim i mirëfilltë, për sa i përket rikonstruksionit të kanaleve të ujërave të zeza, çka do të thotë se gjendja në këtë zonë ka ardhur gjithnjë e duke u rënduar, ku tashmë mund të thuhet se këto familje po përjetojnë një skandal të vërtetë higjenik. Aktualisht ujërat e zeza rrjedhin mbi sipërfaqen e territorit ku jetojnë këto familje, duke rrezikuar kështu jetën e gjithë banorëve dhe veçanërisht atë të fëmijëve të vegjël. Gjendja bëhet edhe më dramatike po të kihet parasysh fakti se pranë ish-Ndërmarrjes Gjeologjike jetojnë familje tepër të varfra, të cilat nuk kanë asnjë mundësi për të rregulluar jetën e tyre. Por tmerri nuk përfundon këtu. Mes ujërave të zeza jetojnë fëmijë të sëmurë kronik, të cilët janë të detyruar të kërkojnë ndihmën e mjekut në mënyrë të herëpashershme. E vetmja ndihmë e ofruar për 18 familjet e kësaj lagjeje ka qenë ndihma e një fondacion holandez, i cili ka mundur të investojë për ngritjen e një ambienti që shërben si banjë publike, por pavarësisht nga kjo ndihmë, pa investime të rëndësishme gjendja e tyre nuk mund të ndryshojë. Banorët që gjenden pranë ish-Ndërmarrjes Gjeologjike duke treguar për hallet e tyre shprehen se jo vetëm që janë të varfër, por në të njëjtën kohë, mjaft prej familjeve të këtushme kanë fëmijë të sëmurë nga sëmundjet kronike. “Nëse këta fëmijë do të vijojnë të jetojnë mes ujërave të zeza, atëherë jeta e tyre do të mbetet gjithnjë e rrezikuar. Jo vetëm që jetojmë me shqetësimin e madh për fëmijët tanë, shprehen banorët, por në të njëjtën kohë ne pyesim: kush do të mbajë përgjegjësi nëse një ditë dikë nga fëmijët tanë do ta gjejmë të vdekur?!”, pyesin banorët e kësaj lagjeje. Këta banorë, tashmë kanë ngritur zërin duke kërkuar të drejtat e tyre. Në të vërtetë kjo protestë apo denoncim në media erdhi si rezultat i heshtjes totale që ka treguar bashkia në këto dy vjet. “Jemi ankuar herë pas herë, shprehen banorët e kësaj zone, por në asnjë rast, nuk kemi parë që të nis një investim për disiplinimin e ujërave të zeza. Ka pasur raste ku punonjës të bashkisë kanë ardhur për të parë situatën në vend, por ndërsa janë larguar, nuk i kemi parë të vijnë më”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›