E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorja çeke Fialkova, deklaron nga Vlora

Shqipëria duhet të dorëzojë kërkesën për kandidim në BE, brenda presidencës çeke 

Ambasadorja e Republikës së Çekisë në Tiranë, Marketa Fialkova, deklaroi dje nga qyteti i Vlorës se Shqipëria, duhet të aplikojë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, brenda presidencës çeke.

Gjatë një bashkëbisedimi që zhvilloi me studentë dhe pedagogë të Universitetit “Ismail Qemali”, të këtij qyteti, ambasadorja Fialkova vuri në dukje se vendi i saj mbështet plotësisht politikën e zgjerimit të BE-së dhe vetë Shqipërinë në hapat e mëtejshme në procesin e integrimit. 

Ajo vlerësoi përpjekjet e qeverisë Shqiptare në këtë drejtim, ndërkohë që shtoi se “vendet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektiva e tyre Evropiane, përbëjnë një nga prioritetet e Çekisë, në presidencën e saj”. 

Në bashkëbisedimin që zhvilloi me studentë dhe pedagogë të Universitetit të Vlorës, Ambasadorja e Çekisë në Tiranë, vlerësoi gjithashtu nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke veçuar privatizimin e OSSH-së nga kompania çeke “Cez”, si dëshmi të nivelit të tyre. 

Ambasadorja Fialkova zhvilloi një takim edhe me Prefektin e Qarkut të Vlorës, Hasan Halili dhe Rektorin e Universitetit “Ismail Qemali”, Tanush Shaska, në mjediset e këtij institucioni të arsimit të lartë, ku u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›