E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi Kombëtar. Arsyet pse PD-ja do ta mbledhë pas zgjedhjeve të qershorit

Ngec procesi zgjedhor në degët e PD-së. Mustafaj: “Nuk ka asnjë zhvillim të ri”

Eljona Ballhysa
Partia Demokratike mësohet se do ta mbledhë Kuvendin Kombëtar pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Burime nga kjo parti bëjnë të ditur se ka shumë gjasa që mbledhja e Kuvendit Kombëtar të shtyhet dhe të zhvillohet pas procesit zgjedhor. Në Statutin e Partisë Demokratike është parashikuar që Kuvendi Kombëtar mblidhet një herë në çdo katër vjet. Hera e fundit kur është mbledhur kjo strukturë e lartë vendimmarrëse e PD-së ka qenë fundi i muajit prill në vitin 2005. Në bazë të Statutit, pikërisht në fund të muajit prill duhet të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar. Por, sipas burimeve nga PD-ja, kjo mbledhje pritet të zhvillohet pas zgjedhjeve.
Arsyet
Sipas burimeve, shkaqet për shtyrjen e Kuvendit janë disa. E para, nuk kanë përfunduar ende zgjedhjet në degët e PD-së në rrethet e vendit. Procesi duket i bllokuar qëllimisht për ta shtyrë edhe mbledhjen e Kuvendit pas zgjedhjeve. Kryesisht janë zgjedhur kryetarët e degëve në qytetet periferike të vendit, ndërsa degët më të mëdha janë në fazën fillestare. Kështu, ende nuk ka një datë se kur do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e degës më të madhe të PD-së. Një nga kandidatët për të kryesuar degën e PD-së së Tiranës, Besnik Mustafaj, ka bërë të ditur për gazetën se ende nuk është përcaktuar data se kur do të zhvillohen zgjedhjet. Ai ka theksuar se për të shtyrë zgjedhjet në parti pas zgjedhjeve parlamentare duhet të mblidhet Kryesia e partisë. Ndërkaq, kjo e fundit, pra Kryesia e Partisë Demokratike, ka muaj që nuk mblidhet duke bllokuar zgjedhjet në parti. Një tjetër arsye pse ka mundësi që të shtyhet mbledhja e Kuvendit Kombëtar është dhe rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit. Pra demokratët duken të frikësuar nga rezultati i 28 qershorit. Në rast se PD-ja humb në këto zgjedhje, atëherë kryetari i saj duhet të japë dorëheqjen nga posti. Për të zgjedhur kryetarin e ri të PD-së duhet të mblidhet Kuvendi Kombëtar. Por zhvillimi i dy Kuvendeve brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, një para zgjedhjeve dhe një pas zgjedhjeve, është një kosto e madhe për partinë. Burimet bëjnë të ditur se kjo është një arsye e fortë pse demokratët po bëjnë përpjekje për të shtyrë mbledhjen e Kuvendit pas zgjedhjeve të 28 qershorit.
Kryesimi
Madje figura të spikatura të Partisë Demokratike kanë filluar të mendojnë seriozisht për atë që cilësohet varianti B, pra mundësia e humbjes së zgjedhjeve të qershorit. Në PD ende nuk është identifikuar një person si pasardhës i Berishës për të drejtuar partinë më të madhe në pushtet. Por sipas rregullave të politikës, partinë e drejton ai që e kontrollon më mirë, që ka më shumë njerëz pas vetes dhe që është në brendësi të jetës së saj prej disa vitesh. Burimet bëjnë të ditur se personat influentë kanë filluar të lëvizin fijet duke forcuar pozitat brenda partisë, duke ndikuar në përcaktimin e kandidatëve për deputetë në listën për zgjedhjet e qershorit dhe duke emëruar mbështetësit e tyre në degët e PD-së në rrethe. Jo më kot është anashkaluar dhe mbledhja e Kryesisë së PD-së, duke emëruar në krye të degëve persona të besuar.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›