E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombinimi në numërim, Kodi mund të pjellë një tjetër ”Dushk”



Një tjetër aspekt i raportit të Komisionit të Venecias janë boshllëqet që krijohen nga kombinimi në numërim, duke favorizuar apo duke diskriminuar kandidatët në varësi të akseseve të partive të tyre, e jo në varësi të votave neto që kanë fituar. Është pikërisht ky përkufizim “diplomatik” i këtij raporti që nënvizon atë që në Shqipëri u quajt “rilindja e tretë e Dushkut”. Pikërisht për këtë pabarazi në numërim ka pasur dhe studime të specializuara dhe denoncime nga disa forca politike shqiptare. Kodi Zgjedhor përcakton se numërimi i votave në garën ndërmjet partive ose koalicioneve politike do të bëhet nëpërmjet formulës ”d’Hondt”. Ndërsa ndarja e mandateve mes partive të të njëjtit koalicion bëhet në një nivel të dytë, nëpërmjet formulës së numërimit Sainte Laguë. Formula e numërimit ”d’Hondt” ka një impakt më të ulët proporcional, duke favorizuar partitë më të mëdha ose koalicionet përkundrejt partive më të vogla. Kurse formula “Sainte Lague” merr në konsideratë peshën e partive të vogla, duke reflektuar në mënyrë më proporcionale vullnetin e votuesve. Sipas disa studiuesve të kësaj fushe, nga ky kombinim penalizohen partitë e vogla që konkurrojnë jashtë koalicioneve kryesore, duke mos pasur mundësi të barabartë konkurrimi. Çështja tjetër që ka të bëjë me diskriminimin, sipas studimit, është se qytetarët nuk trajtohen në mënyrë të barabartë brenda së njëjtës zonë zgjedhore, pasi pesha e votës së tyre numërohet ndryshe në varësi të partisë politike për të cilën ata votojnë. Sipas kësaj logjike rezulton se vota nuk është e barabartë, pasi brenda së njëjtës zonë elektorale, një votë e hedhur për një parti që është jashtë koalicioneve kryesore, merr në numërim më pak vlerë sesa vota e hedhur për një parti të vogël që është futur në një nga koalicionet kryesore, që në kontekstin legjislativ shqiptar mund të përbëjë dhe shkelje kushtetuese.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›