E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, kritika deputetëve të Beratit për rrjedhjen e votave

Rrjedhja e votave dhe humbja e kreut të Këshillit të Qarkut Berat u ka djegur jo pak socialistëve. Për këtë qëllim, dje me këtë çështje është marrë vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka thirrur në një takim të posaçëm të gjithë këshilltarët socialistë të qarkut, si dhe deputetët Erion Braçe, Fidel Ylli, Marko Bello dhe Ermonela Felaj. Mbledhja për shkak të fenomeneve që kanë shoqëruar procesin e konstituimit të këshillit të qarkut, por edhe të njësive vendore në këtë qark, mësohet se ka qenë e tensionuar dhe me debate. I ashpër mësohet se ka qenë Rama, i cili duke iu referuar pikërisht rrjedhjes së katër votave në zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të Qarkut Berat, u ka bërë të ditur këshilltarëve të majtë, se është detyrim i tyre moral dhe politik që t’i shërbejnë forcës që i zgjodhi. “Duhet ta keni të qartë një herë e përgjithmonë, Partia Socialiste nuk jep lekë për të mbajtur këshilltarët e vet dhe askënd tjetër. Ne nuk bëjmë garë me kundërshtarin se kush ka më shumë lekë”, - mësohet të jetë shprehur Rama në fjalën e vet. Rama u ka sjellë si rast që duhet ndjekur, zgjedhjen e kreut të Bashkisë Krumë, i cili sipas kreut të socialistëve arriti të zgjidhet duke ndjekur dy parime, shmangien e pakënaqësive dhe tradhtive brenda vetë socialistëve dhe punën e ndershme. Ndërkohë që Rama nuk ka kursyer as akuzat e drejtpërdrejta për deputetët dhe kryetarin e Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, si përgjegjës për përfshirjen e këshilltarëve “tradhtarë” në listat e PS-së. Takimi i djeshëm i Ramës me këshilltarët e majtë vjen edhe në kuadër të përgatitjes për t’u ballafaquar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Qarkut Berat, ku do të zgjidhet nënkryetari dhe kryesia. Por pavarësisht kësaj, shpresat për të triumfuar në këtë garë të dytë në këshill janë të pakta, sepse nga katër këshilltarët që votuan djathtas disa ditë më parë, në mbledhjen e djeshme merrte pjesë vetëm njëri. Megjithatë, socialistët pritet të bëjnë dhe një përpjekje të fundit sot para mbledhjes, për të bindur “tradhtarët” që të kthehen në grupin e këshilltarëve socialistë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›