Kartat e identitetit, Teliti: Janë 500 raste falsifikimi
TIRANË Ministria e Brendshme ka evidentuar 500 raste të thyerjes së sistemit të prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave. Kjo është shifra e bërë publike dje nga drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, në një raportim në komisionin parlamentar të Sigurisë. Megjithatë, Teliti ka theksuar se rastet në fjalë nuk e dëmtojnë sistemin. I pyetur konkretisht nga deputeti demokrat, Gazment Oketa, se sa raste shkeljesh janë evidentuar, Teliti u përgjigj: “Rreth 500 raste i kemi në hetim në këtë moment. Ndërkohë që kemi të prodhuara 2.9 milionë karta identiteti dhe po të bëjmë një pjesëtim të kësaj, del 0.0016 % e shifrës, çka do të thotë që është një shifër tërësisht e papërfillshme dhe normale në çdo sistem”. Ndërkohë, deputetët e opozitës kanë deklaruar dje gjatë mbledhjes së komisionit se të dhënat e gjendjes civile po keqpërdoren nga politika. Ndërsa Teliti është përgjigjur se sistemi aktual në vend është një nga më të mirët. “Askush për shkak të elementëve të sigurisë të sistemit të kartave dhe pasaportave nuk mund të marrë dy dokumente me të njëjta shenjash gishta. Jemi në pararojë të një sistemi të shkëlqyer. Kompania për kartat ka një sistem kontrolli që punon dhe FBI-ja. Hera e parë që kjo kompani përdor lidhjen e dy sistemeve online. Rastet sporadike ndodhin në gjithë botën”, - tha ai.