Ambasadorja e Britanisë, Mekiluam: “Është shumë e rëndësishme që zgjedhjet të jenë sipas standardeve”
Edhe ambasadorja e re e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Fiona Mekiluam, ka vënë theksin në domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Gjatë ditës së djeshme ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar është pritur në një takim nga ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha.
Gjatë këtij takimi Basha ka vlerësua marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona, si dhe e ka falënderuar ambasadoren Mekiluan për mbështetjen e çmuar që Britania i ka dhënë Shqipërisë në proceset e anëtarësimit në NATO dhe atë të integrimit europian. Me tej ai bëri një ekspoze të reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në fusha të tilla si ato ekonomike, në fushën e Drejtësisë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit etj., si dhe çmoi bashkëpunimin me Britaninë e Madhe si shumë të rëndësishëm. Ministri Basha e njohu diplomaten e lartë britanike me masat që janë marrë për organizimin e procesit zgjedhor dhe siguroi angazhimin e qeverisë shqiptare për realizimin e një procesi zgjedhor model. Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin e përbashkët se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, do të jenë një tregues mjaft i rëndësishëm për integrimin e ardhshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe se është shumë e rëndësishme që ato të zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme e sipas standardeve perëndimore. Ambasadorja Mekiluam shprehu bindjen se bashkëpunimi midis dy vendeve tona do të njohë zhvillime të reja në të ardhmen. Ajo vuri në dukje vlerësimin e lartë që ka qeveria britanike ndaj rolit konstruktiv që Shqipëria ka luajtur dhe luan në rajonin e Ballkanit.
3 Qershor 2009