Ruçi në Lushnjë: “Votat e shqiptarëve do ta nxjerrin në pension politik Berishën”
Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi dhe Arben Çuko, kanë zhvilluar dje një takim në fshatin Bubullimë të rrethit të Lushnjës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim kreu i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, tha se maxhoranca aktuale dhe kryeministri Berisha dështuan në mbajtjen e premtimeve për rritjen e mirëqenies për shqiptarët. Ruçi tha se si rezultat i këtij dështimi shqiptarët janë sot më të varfër se katër vjet më parë. Ai tha se Partia Socialiste ofron një program me ide, zgjidhje të reja dhe vullnet i ri, i cili do të rezultojë fitues më 28 qershor. Ruçi shprehu bindjen se shqiptarët me votën e tyre do të nxjerrin në pension politik Sali Berishën. “Jemi në momentin kur po numërohen minutat e fundit të një pushteti uzurpator, që rrëmbeu votën tuaj në 2005-n, të një pushteti gënjeshtar që ka katër vjet që gënjen dhe ushqen popullin me lugë bosh, të një pushteti grabitës që ka vjedhur xhepat e çdo shqiptari, të pensionistit, infermierit, mësuesit. Është detyrë e një qeverisjeje të bëjë bilancin e saj, është detyrim i opozitës të bëjë bilancin e qeverisjes së një vendi. Por, mbi të gjitha këto, është e drejtë solemne e çdo qytetari që më 28 qershor të bëjë bilancin e ditë pas dite të qeverisjes që ka pasur në kurriz. Është e drejta e çdo qytetari që duke u nisur nga tryeza e bukës e secilit, nga Vermoshi në Konispol, të gjykojë nëse sot jeton më mirë apo më keq. Dhe unë, vëllezër e motra, dua të ndaj me gjithsecilin nga ju atë që besoj se është bindja jonë e përbashkët: A jetojmë sot, katër vjet mbasi Sali Berisha është në pushtet më mirë se më parë? A ka secili nga ne një pjatë më shumë supë në tryezë në krahasim me katër vjet më parë? A është më i sigurt se katër vjet më parë? A është më me dinjitet se katër vjet më parë? Populli i thjeshtë jo! Kurse ai dhe familja e tij, ministri i pandehur Basha, ministri i pandehur Mediu e të tjerë, natyrisht që janë shumë më të pasur se më parë. Ai e do pushtetin për t´u mbrojtur nga drejtësia, për të mbrojtur veten, fëmijët e tij dhe fëmijët e tij politikë. Por tani është vonë! Për të po bien kambanat! Vota juaj do ta nxjerrë atë në pension politik”, - tha Ruçi.
3 Qershor 2009