Parlamenti mocioni me Topallin perfshihet ne axhende
Pas dështimit të negociatave mes dy kryetarëve të grupeve të mëdha parlamentare për caktimin e datës për mocion me debat kundër Kryetares së Kuvendit, kjo e fundit u ka dhënë fund dilemave, duke përfshirë në axhendën e së enjtes kërkesën e PS-së për mocion kundër saj. Konferenca e shkuar e kryetarëve ka rënë dakord që t’ia lërë në dorë Kryetares së Parlamentit caktimin e datës, ndërkohë që afati ligjor skadonte më 27 dhjetor. Kryeparlamentarja Topalli ka shfrytëzuar të gjitha afatet ligjore për të lënë seancën e fundit plenare të vitit 2010, për të bërë përballjen e saj kundër Partisë Socialiste. Rezoluta që i mohoi Shqipërisë statusin e vendit kandidat për mos funksionimin e Parlamentit do të jetë thelbi i mocionit ku socialistët pritet të bëjnë akuza të ashpra kundër njeriut që për të pestin vit radhas drejton Parlamentit dhe i ka mbijetuar edhe më parë pengesave dhe mocioneve kundër saj, duke kapërcyer edhe mocionet për shkarkim. Dy javë më parë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u tregua e bindur se “do të mundë Edi Ramën edhe këtë herë”. Duket se deklarata e saj publike e ka çuar selinë rozë drejt një heshtjeje totale në lidhje me mocionin me debat kundër Topallit.