Prifti lexon "Refleksionet..." e Ramës
Deputeti Dritan Prifti i ktheu dje përgjigje deklaratave të bëra një ditë më parë prej selisë rozë, ku Meta akuzohej se kishte fyer familjarët e dëshmorëve. Sakaq, dje është krijuar Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës. Në të bëjnë pjesë LSI, PSD, PAD, PDS dhe LZHK. Kryetar i këtij komiteti u caktua analisti Artur Zheji ndërsa pritet që sot në orën 11.00 të mbahet një konferencë për shtyp. "Dëshiroj të bëj një koment lidhur me deklaratën e një prej zëdhënësve të vonuar të Partisë Socialiste në lidhje me festën e 5 Majit", tha Prifti. Ai u ndal te pasazhet e librit "Refleksione", me autor kryetarin aktual të Partisë Socialiste, Edi Rama. Prifti sqaroi se në këtë libër zoti Rama, në shkrimin "Kundër ngushtimit të nocionit opozitë", faqja 179, faqja 180 deri 185, është shprehur se "Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar ishte një luftë civile, ishte një luftë vëllavrasëse, një luftë histerike e drejtuar nga emisarët jugosllavë". "Prandaj, Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbajtur qëndrimin e saj në ditën e dëshmorëve, sepse këto janë të vërtetat e Edi Ramës", insistoi Prifti. Ai konstatoi se shprehjet e tij "Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar ishte një luftë civile", jo vetëm ofendojnë popullin socialist, popullin e majtë, familjet e dëshmorëve, veteranët, pasardhësit e veteranëve, por këto shprehje ofendojnë të gjithë shqiptarët. Në këtë libër, shtoi ai, Edi Rama ka thënë: "Për sa kohë Partia Socialiste nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo nuk mund të ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme".