E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambeta Toromani padit për vjedhje Oni Pustinën



Armand Bajrami

Pesë muaj pasi e paditi në gjykatë për një konflikt për “çështje parash”, balerina e famshme, Ambeta Toromani, i drejtohet sërish gjykatës me një padi kundër ish-të fejuarit të saj, modelit Fatjon Pustina. Edhe këtë radhë objekt i padisë janë paratë, jo në formën kesh (cash), por në aksionet pronësisë së një shoqërie, të cilat balerina e njohur pretendon se i janë vjedhur. Sipas padisë së regjistruar në Gjykatën e Tiranës pak ditë më parë, Ambeta Toromani, e njohur për publikun për famën e saj në programin “Amichi” në Itali, pretendon se nëpërmjet veprimeve mashtruese, i padituri Oni Pustika ka arritur të kalojë në mënyrë të paligjshme në emër të tij aksionet që i takonin Toromanit. Edhe pse për këtë ishte nënshkruar një marrëveshje më parë, sipas paditëses Ambeta Toromani, kalimi i aksioneve është bërë në mënyrë të jashtëligjshme në një kohë që ajo ishte jashtë Shqipërisë. Për këtë balerina Toromani i kërkon Gjykatës së Tiranës pavlefshmërinë absolute të aktit që ka “ligjëruar” kalimin e aksioneve nga zotërimi i saj, në zotërimin e Pustinës.
PADIA
Në kërkesë-padi sqarohet se paditësja Anbeta Toromani ishte zotëruese e 2 kuotave të shoqërisë “EU 2008” sh.p.k, me vlera 5 753 906 lekë secila, nga 19 kuota në total që kishte shoqëria. Në një asamble të shoqërisë është miratuar transferimi i këtyre kuotave nëpërmjet shitjes nga paditësja Toromani, tek i padituri Oni Pustina. Për këtë në vijim mes palëve është lidhur një “marrëveshje shit-blerje kuotash”, e cila mundësonte kalimin e pronësinë. Për paditësen, marrëveshja është nënshkruar nga motra e saj, Bujana Toromani, e cila kishte një prokurë të posaçme me anë të së cilës mund të përfaqësonte balerinën në këto veprime. Nga padia mësohet se kjo prokurë, e cila mbante si datë përpilimi 15 tetor 2009, i ishte paraqitur Bujana Toromanit nga i padituri Oni Pustina. Sipas Anbeta Toromanit, në këtë datë ajo ndodhej jashtë Shqipërisë, pra nuk e ka kryer veprimin që është bërë në emër të saj në Tiranë. “Nëpërmjet veprimeve mashtruese, i padituri ka arritur të marrë specimenin e nënshkrimit paditëses dhe më pas këtë specimen të firmës e ka përdorur për të hartuar tekstin e prokurës së posaçme, të cilës i është dhënë forma ligjore nga noteri, siç pretendohet në padi, në mënyrë të paligjshme. Në prokurë pretendohet se Ambeta Toromani është paraqitur personalisht para noterit në datën 15 tetor 2009, kur nga vulat në pasaportë vërtetohet se në këtë datë ajo ka qenë në Itali. Sipas aktit noterial, noteri pasi ka ‘konstatuar’ këtë fakt, ka përpiluar prokurën, me anë të së cilës Pustina realizoi transferimin e 2 kuotave në zotërim të tij”, thuhej në padi. Po në padi thuhet se “në kohën në të cilën noteri pretendon se paditësja është paraqitur personalisht, kjo e fundit rezulton se nuk ka qenë në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Në përfundim Toromani i kërkon gjykatës deklarimin e pavlefshëm të aktit të “prokurës së posaçme” të datës 15.10.09 dhe të aktit të “marrëveshje shit-blerjeje kuotash” të datës 12.11.09. Gjithashtu ajo kërkon rregullimin e pasojave që i kanë sjellë aktet e mësipërme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›