E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skemë piramidale në Tiranë, 120 të ndaluar



Trazhgim Sokolaj

Të paktën dhjetë persona të akuzuar për vjedhje me anë të mashtrimit në shuma të mëdha, u arrestuan dje në mbrëmje në Tiranë. Vjedhja, e cila besohet se ka dëmtuar dhjetëra persona, është kryer me anë të një kompanie fiktive, e cila sipas hetimeve të deritanishme ka rezultuar se ka aktivitet piramidal. Persona të akuzuar për mashtrim në shuma të mëdha kishin mbledhur “viktimat” e radhës dje në një lokal të njohur në Sauk të Tiranës, kur agjentë të shumtë të Antikrimit Ekonomik kanë mbërritur aty, duke shoqëruar të gjithë pjesëmarrësit në polici. Rreth 120 persona janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës në një operacion të udhëhequr nga Njësia Task Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Ndalimi i tyre është bërë për llogari të hetimeve që po zhvillohen ndaj të paktën 10 personave që akuzohen se kanë vjedhur me anë të mashtrimit qindra qytetarë shqiptarë. Disa shtetas nga Shqipëria dhe Maqedonia organizonin kurse dhe trajnime në Tiranë, duke mbledhur tregtarë, biznesmenë e sipërmarrës, të cilëve u premtonin krijimin e kompanive të reja dhe korporatave të biznesit, me anë të bashkëfinancimit. Autorët e mashtrimit prezantoheshin në emrin e një kompanie, e cila sipas hetimeve, ka rezultuar se ishte fiktive, e pa regjistruar në Shqipëri dhe as në Maqedoni. Një seminar i tillë po zhvillohej edhe dje në periferi të Tiranës në një lokal të njohur, kur policia ka mbërritur “në vendin e ngjarjes”. Në këtë seminar, të paktën dhjetë persona që dyshohet se janë autorë të mashtrimit janë kapur në flagrancë, ndërsa po kërkonin shuma parash nga pjesëmarrësit me premtimin e krijimit të kompanive të përbashkëta. Dosja penale për këtë skemë të mirëfilltë piramidale ndodhet në Zyrën Task Force Antikorrupsion në Prokurori, prej më se dy muajsh. Hetimi ka filluar pas denoncimeve nga disa tregtarë të cilët kanë derdhur shumat që u janë kërkuar por nuk kanë pasur asnjë përfitim e madje kanë humbur çdo kontakt me mashtruesit. Sipas hetimeve të zhvilluara në këtë hark kohor, grupi i personave që besohet se drejtohej nga tre shqiptaro-maqedonas, zhvillonte takime e konferenca në Tiranë, duke kërkuar kontribute financiare nga tregtarët për krijimin e kompanive të reja. Pasi merrnin shumat e parave nga të mashtruarit, personat autorë të krimit zhdukeshin, duke mbyllur çdo kontakt me tregtarët, të cilëve u kishin premtuar se do të bëheshin bashkëpronarë në kompanitë e reja. Vetëm në seminarin e djeshëm, të akuzuarit kishin mbledhur më se 90 persona, të cilëve po u kërkonin shuma parash. Ndërkohë, sipas hetimeve, seminare të ngjashme ku janë mbledhur shuma të konsiderueshme, janë organizuar në dhjetëra raste në Tiranë. Zyrtarët e policisë dhe prokurorisë nuk kanë dhënë detaje dje në mbrëmje në lidhje me aksionin, pasi sipas tyre, çështja është ende në fazën e hetimeve. Burime nga grupi hetimor thanë se të paktën dhjetë persona nga 120 të ndaluarit do të mbahen në gjendje arresti si autorë të vjedhjes me anë të mashtrimit. Ndërkohë personat e tjerë që kanë qenë të pranishëm në “seminar” janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve. Ata kanë treguar mënyrën si kanë hyrë në kontakt me mashtruesit dhe më pas veprimet kriminale që kanë kryer personat në hetim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›