E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dosja shqiptare “Kokaina”,Italia përfundon hetimin



TIRANE - Sokol Koçiu dhe Arben Bërballa, ish-të dënuar të procesit “Kokaina”, do të thirren në Gjykatën e Tiranës ku do u komunikohen aktet e përfundimit të hetimeve për pjesën italiane të së njëjtës dosje. Kjo për faktin pasi disa ditë më parë autoritetet italiane të drejtësisë dërguan në Tiranë me anë të një letër-porosie dokumentet se prokuroria e zonës së Barit kishte mbyllur hetimet e nisura që nga viti 1999 në ngarkim të Koçiut dhe Bërballës. Vetë Koçiu i kontaktuar dje pohoi se gjithë kjo procedurë duhet të ishte përfunduar kohë më parë, por autoritetet italiane të drejtësisë e kanë zvarritur qëllimisht, pasi nuk kishin asnjë provë për të ngritur akuza konkrete. Sipas Koçiut, gjithçka ka nisur pas padisë që ky dhe Bërballa kishin depozituar në Gjykatën e Strasburgut kundër shtetit shqiptar dhe atij italian. “Siç duket, italianët janë vënë në lëvizje pas kërkesës së Strasburgut për t’iu dhënë informacione rreth çështjes “Kokaina”, dhe për të dalë nga situata janë detyruar të mbyllin hetimet ndaj nesh. Kjo tregon që shteti italian, ashtu sikurse ai shqiptar, duhet të përgjigjen para Gjykatës së Strasburgut, për burgosjen tonë të padrejtë”, pohoi dje Koçiu. I pyetur nëse do paraqitej në gjykatë, ish-komisari i policisë tha se aktualisht nuk kishte marrë dijeni për këtë, por sapo të merrte njoftim, do të paraqitej, ku do të paraqiste argumentet e tij rreth pafajësisë dhe procedimit të montuar të çështjes “Kokaina”. Gjatë ditëve në vazhdim pritet që gjyqtari i çështjes, Gerd Hoxha, të caktojë datën për zhvillimin e këtij procesi. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›