E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshatrat turistike, si do bëhet pagesa



Të gjithë personat apo subjektet që kanë ndërtuar në zonat turistike të vendit tashmë do t’u duhet të paguajnë truallin ku kanë investuar. Një vendim i Këshillit të Ministrave përcakton edhe procedurat që duhet të ndiqen deri në përfitimin e kontratës së shitjes, e cila garanton pronësinë e tyre mbi këtë truall. Referuar ligjit për “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, kontrata mund të lidhet vetëm pasi të bëhet pagesa e plotë apo e pjesës takuese të çmimit të truallit të njësisë së ndërtuar. Vendimi i miratuar i jep Agjencisë së Legalizimit autoritetin për lajmërimet e personave që preken nga ky vendim ndërkohë që paralelisht përcaktohet edhe çmimi i truallit duke operuar sipas hartës së vlerës së tokës. Për bërjen e pagesës është lënë një afat 6-mujor që nga momenti i lajmërimit nga ALUIZNI. Dy janë alternativat për shlyerjen e detyrimit:ose duke e kryer atë plotësisht një herë ose me këste. Gjithsesi ligji sanksionon se kur çmimi paguhet në mënyrë të vetme, subjekti i interesuar apo personi i stimuluar përfitojnë ulje të çmimit në përqindje të përcaktuara. “çmimi i truallit reduktohet në masën 10 për qind, nëse paguhet brenda 3 muajve nga njoftimi me shkrim i ALUIZNI-t ose reduktohet në masën 20 për qind, nëse paguhet brenda 1 muaji nga njoftimi me shkrim”, parashikon ligji “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”. Individët apo personat e interesuar për të përvetësuar truallin duhet që të dorëzojnë pranë Agjencisë së Legalizimit dokumentacionin financiar që vërteton kryerjen e pagesës dhe nga ky moment fillohet me procedimin për lidhjen e kontratës për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin. Në rastin e kundërt kur pagesa nuk është bërë plotësisht brenda afatit subjekti apo personi e humbasin të drejtën për kalim të pronësisë dhe shuma e paguar deri në atë moment kthehet pas. Vendimi parashikon edhe rastet e bashkëinvestimit dhe në këtë rast nëse njëra nga palët nuk ka shlyer detyrimet e drejta për lidhjen e kontratës i jepet vetëm palës që ka bërë pagesën. ALUIZNI-t si institucioni zbatues i vendimit i lindin një sërë detyrash siç është lajmërimi me shkrim i personave që prek vendimi, përcaktimi i dokumentacionit të nevojshëm për një dosje të plotë të individit apo subjektit si dhe përcaktimi i tarifës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›