E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati në Tiranë, qëllohet me dy plumba makina e Blendi Kotorrit



TIRANE – Një person rreth 32 vjeç lajmëroi policinë e Tiranës natën e së martës, duke pretenduar se automjeti i tij ishte qëlluar me breshëri armësh në afërsi të Urës së Tabakëve në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, 32-vjeçari Blendi Kotorri, pretendon se një person i ka zënë pritë dy ditë më parë, pranë banesës, duke qëlluar 2 herë me armë në makinën e tij. Sipas kallëzimit që Kotorri bëri në Policinë e Tiranës, ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të së martës, në rrugicën pranë Xhamisë së Tabakëve, teksa ai po kthehej me makinë për në shtëpi. Burime nga policia thanë se oficerët e seksionit Kundër Jetës dhe Shëndetit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, sapo u lajmërua në sallën operative. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët sekuestruan 2 gëzhoja, që sipas të dhënave paraprake i përkasin një arme tip pistoletë “Miniblow”. Policia tha se në makinën tip “Jaguar” të 32-vjeçarit Kotorri u fiksuan dy vendet ku është futur predha e fishekut, një në gomën e pasme të automjetit dhe tjetra në anë të bagazhit. Sipas burimeve nga grupi hetimor dyshohet se autori nuk ka arritur të qëllojë në shenjë, për arsye se objektivi ndodhej në lëvizje me makinë, por edhe mund të ketë ndryshuar mendje në moment të fundit. Nga deklarimet që ka dhënë në polici Blendi Kotorri, mësohet të jetë shprehur se autori mbase nuk ka pasur si qëllim ta vrasë, por thjeshtë ta paralajmërojë për diçka, duke qëlluar makinën. Burimet sqaruan se përgjatë gjithë natës kanë shoqëruar 18 persona si të dyshuar për t’u marrë në pyetje, duke u nisur nga përshkrimet që Kotorri ka dhënë për autorin. Sipas tij, personi që ka qëlluar ishte në këmbë dhe po e priste te rrugica pranë Xhamisë së Tabakëve. Edhe pse ishte errësirë, ka shpjeguar 32-vjeçari, nga fizionomia i dyshuari mund të jetë rreth moshës 25 vjeç. Policia sqaroi se 18 personat e shoqëruar janë lënë të lirë pasi u janë marrë deklarimet, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes. Gëzhojat e gjetura në vendin e krimit janë dërguar për ekspertim në Laboratorin e Kriminalistikës dhe sot pritet që oficerët e policisë të marrin një përgjigje nga ekspertët kriminalistë. Ndërkohë që policia vazhdon ende kontrollet në banesat përreth vendit të ngjarjes. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›