Vrasja e Mirit të Xhikes, dëshmitari flet në gjykatë
TIRANE – Gjykata e Tiranës u njoh dje me dëshminë e një prej personave, të cilët kanë qenë në tavolinë me Fatmir Ramën, të njohurin si “Miri i Xhikes”, në momentet që ai u ekzekutua në një atentat mafioz. Dëshmia u dëgjua në seancën e djeshme në ngarkim të Lavdërim Tufës, të akuzuarit të prokurorisë, si autor i ngjarjes së ndodhur në 29 mars të vitit 2003. Burime pranë gjykatës, bënë të ditur se dëshmitari Flamur Tafaj rrëfeu para gjykatës momentet kur u qëlluan nga breshëri armësh, teksa ishte nën shoqërinë e Fatmir Ramës tek ish-”Akuadromi” në Lundër. Dëshmitari Tafaj është një nga personat që është plagosur rëndë nga atentati. “Kam qenë në një lokal me Fatmir Ramën. Kemi qenë duke parë një ndeshje futbolli. Unë kam qenë me shpinë nga dera kur kam dëgjuar krisma. Kam marrë plagë në trup. Nuk kam parë se kush qëlloi. Nga plagët kam humbur ndjenjat dhe jam përmendur vetëm në spital”, është shprehur dëshmitari para gjykatës. Procesi në ngarkim të Tufës, në Gjykatën e Tiranës është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve. Në ngjarjen për të cilën akuzohet i pandehuri i kësaj dosjeje u vranë tre persona, mes të cilëve edhe Fatmir Rama (Miri i Xhikes). Në momentin e atentatit Rama ishte duke parë një ndeshje futbolli nën shoqërinë e katër personave të tjerë. Tetë muaj pas ngjarjes, policia arrestoi Lavderim Tufën si autor të saj, ndërkohë që hetimet kishin treguar se autorët ishin më shumë se një person. Që prej vitit 2003, i pandehuri Tufa është përballur me drejtësinë shqiptare në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Në vitin 2006 një vendimi i Gjykatës për Krimet e Rënda caktoi për të “burgim të përjetshëm”. Konfirmimi i këtij vendimi në Apel u rrëzua më pas nga Gjykata e Lartë. Në vijim, në maj të 2009, dosja në ngarkim të tij u dërgua për rigjykim në Gjykatën e Tiranës.