Art bashkëkohor në kalanë e Bashtovës
Art-Kontakt këtë vit ka zbritur në një tjetër kala, në atë të Bashtovës. Nën emërtimin "Kujtesa dhe ëndrra", ky aktivitet i vendosur në harkun e 24 orëve ka synuar të paraqesë tendencat e reja të artit bashkëkohor, nisur edhe për një sensibilizim të zhvillimit të mëtejshëm të këtij sistemi. Piktura, instalacioni, danci modern etj., janë gjinitë e lëvruara në këtë organizim. "Është një festival multidisiplinor, sepse këtu ndërthuren artet vizuale, danci modern, muzika, leximet poetike e të tjera. Artistët janë studentë të Akademisë së Arteve, të cilët përballen me tregun e vështirë të artit. Ideja është që ky aktivitet të shërbejë për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha shqisat e njeriut, nga shikimi, dëgjimi, ndjesitë e të tjera", shprehet Andi Tepelena, organizator i Art-Kontakt, i mbështetur këtë vit nga Ministria e Kulturës. Ndërsa ashtu si edhe më parë, është shfrytëzuar kalaja e Bashtovës, si pikënisja e rrugës "Egnatia" për të promovuar edhe këto vende historike, që sot janë thuajse të harruara. Ky aktivitet ka nisur në vitin 2005 në kalanë e Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo, vazhdoi në kalanë Lëkurës të Sarandës dhe sivjet u vendos në kalanë e Bashtovës.