E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau dhëndrin në Laprakë,autori “arratiset” në Greqi



Etleva Delia

Përpjektet e policisë për arrestimin e Artur Lleshit, autorit të dyshuar për vrasjen e Gëzim Markut, mbrëmjen e së dielës në Laprakë të Tiranës, kanë dështuar prej pesë ditësh. Emigranti i kthyer nga Greqia enkas për të sqaruar lidhjen e motrës së tij me viktimën Gëzim Marku, dyshohet se është rikthyer sërish si klandestin në shtetin helen, menjëherë pas ekzekutimit me tri plumba të 34-vjeçarit nga Mirdita. Burime nga policia, thanë se nga të gjitha kontrollet e kryera në zona të ndryshme të Tiranës, por edhe në Mirditë, në fshatin ku jeton familja e autorit Artur Lleshi, nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij. Po kështu, nga vëzhgimet e kryera nga oficerët e policisë në zonat e dyshuara ku ai mund të strehohej, nuk është parë asnjë lëvizje e të riut. Gjatë kësaj periudhe që 22-vjeçari është shpallur në kërkim nga policia, rezulton se nuk ka komunikuar në telefon, me asnjë prej familjarëve të tij. Ky fakt, ka shtuar dyshimet e grupit hetimor, se Artur Lleshi, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur të dielën në lokalin në rrugën “Don Bosko”, Tiranë, mund të jetë “arratisur”, si klandestin drejt Greqisë. Për këtë arsye, policia shqiptare ka kërkuar ndihmën e policisë greke, duke i dhënë gjeneralitetet dhe fotografinë e të dyshuarit, në mënyrë që kapja e tij të shihet me prioritet. Policia e Tiranës vendosi si shpërblim për informatorët shumën prej 5 mijë eurosh, në mënyrë që të ndihmonin për arrestimin e Artur Lleshit, por deri ditën e djeshme çdo telefonatë e bërë në dy numrat e publikuar nga policia, nuk ka dhënë rezultat për kapjen e tij. Ngjarja për të cilën akuzohet 22-vjeçari, Artur Lleshi, ndodhi mbrëmjen e së dielës, në një lokal pranë Laprakës, në kryeqytet. Gëzim Marku u ekzekutua me tri plumba në kokë, për shkak të lidhjes jashtëmartesore, që kishte me motrën e autorit të dyshuar të vrasjes. Rrethanat e ngjarjes i shpjegoi për oficerët e policisë motra e autorit, Artur Lleshit, e cila ishte edhe objekti i ngjarjes së rëndë. Burime nga grupi hetimor, thanë se vajza 20-vjeçare ishte në dijeni të faktit se personi me të cilin bashkëjetonte prej gati një viti në një apartament në Tiranë, ishte i martuar dhe kishte edhe një djalë të vogël në Mirditë. Sipas vajzës, familjet banuese në fshatin Orosh të Mirditës, kishin rënë dakord që ata të fejoheshin, por pasi 34-vjeçari të divorcohej nga bashkëshortja e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›