Grabit me dhunë e maska baxhanakun
GJIROKASTER - Vjedh me dhunë, i maskuar, baxhanakun, vihet në pranga. Policia e Gjirokastrës bëri të ditur se arrestoi dje Julian Ferizajn, 21-vjeç dhe Bujar Skënderajn, 39-vjeç. Mbrëmjen e së mërkurës, në afërsi të një lokali në lagjen “Kodra e Shtufit”, ata i kanë dalë para 44-vjeçarit me inicialet A.P., të cilit i kanë kërkuar paratë që kishte me vete. Ai ka bërë rezistencë, duke u dhunuar nga dy personat me mjete të forta. Plagët e shkaktuara e detyruan A.P. të kërkonte ndihmë spitalore. Grabitësit arritën t`i merrnin një shumë prej 20 mijë lekësh si dhe aparatin e celularit. Sipas burimeve, i plagosuri kishte arritur ta njihte nga zëri baxhanakun e tij. Policia u vu në lëvizje menjëherë pas denoncimit, duke vënë në pranga dy autorët e ngjarjes. p.n