E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkon për vizitë te prindërit, vajza vetëhelmohet me helm rrushi



TIRANE - Një grua 22-vjeçare i dha fund jetës, duke konsumuar lëndë helmuese, që përdoret për spërkatjen e rrushit. Lavdie Meta, banuese në Babrru të Tiranës, e cila ishte martuar vetëm para disa muajsh, është gjetur pa ndjenja në dhomën e fjetjes nga nëna e saj, tek e cila kishte shkuar për vizitë mesditën e djeshme. E ëma ka tentuar që ta zgjojë vajzën, pasi e ka parë të shtrirë, duke menduar se i kishte rënë të fikët. Më pas, ka kuptuar që ajo mund të kishte konsumuar ndonjë helm, vetëm pasi ka parë një letër të cilën ajo e kishte lënë pranë vetes. Në letrën e lamtumirës, 22-vjeçarja Meta, kishte shkruar vetëm pak rreshta, ku iu kërkonte të afërmëve që të mos mërziteshin, por pa shpjeguar arsyet se përse kishte vendosur që t’i jepte fund jetës. Nëna e gruas së re ka lajmëruar menjëherë në Sallën Operative të Drejtorisë së Tiranës, duke treguar se çfarë i kishte ndodhur vajzës së saj, brenda në banesë. Drejt vendit të ngjarjes, në një banesë private në Babrru, janë nisur forcat e policisë të Komisariatit nr.5, si dhe disa oficerë të seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Burimet sqaruan se ndërkohë 22-vjeçarja ishte transportuar në spitalin ushtarak, në repartin e Toksikologjisë, nga bashkëshorti i saj dhe disa të afërm, që ishin lajmëruar nga e ëma. Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, të cilët bënë të pamundurën për ta kthyer në jetë, 22-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë. Sipas mjekëve, Lavdie Meta kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme, të një lloj kimikati që përdoret për spërkatjen e rrushit dhe me atë sasi helmi ishte e pamundur që ajo të mbijetonte. Policia ka marrë dëshmitë e të afërmve të saj, si dhe të bashkëshortit, për të mësuar nëse gruaja e re kishte ndonjë problem, apo vuante nga ndonjë sëmundje. Bashkëshorti i viktimës mësohet të ketë deklaruar se nuk kishte asnjë lloj mosmarrëveshje me gruan, madje marrëdhënia e tyre ishte shumë e mirë. Të njëjtën gjë kanë deklaruar edhe prindërit e Lavdie Metës, në shtëpinë e të cilëve ajo ndodhej në momentin kur konsumoi helmin vdekjeprurës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›