Ambicia e Xhemailit: “Gol Bufonit”
Blerim Xhemaili, mesfushori i Parmës, tregoi gjatë një interviste edhe ambicien sezonale. Duke folur për PianetAzzurro.it, shqiptari me pasaportë zvicerane tha: “Presidenti ynë është ambicioz dhe këtë e tregoi edhe në këtë merkato. Kjo na jep më shumë përgjegjësi, edhe pse dëshirojmë nga ana tjetër ta çojmë përpara projektin që shoqëria ka në mendje, ajo që të konsolidohemi në kampionatin e Serisë A. Objektivi im është të luaj në vazhdimësi dhe të luaj mirë, që të arrijmë të sigurojmë sa më shpejt që të jetë e mundur mbijetesën me Parmën, e më pas, pse jo të shijoj edhe ndonjë kënaqësi personale duke shënuar disa gola. Kush janë lojtarët e mi të preferuar? Portieri më i mirë në botë për mua është gjithmonë Bufoni. Midis mbrojtësve pëlqej më shumë Kivunë e Interit për kapacitetin e tij dhe për tu përshtatur në shumë zona të fushës. Në mesfushë idhulli im personal është Lampard, një nga lojtarët më të mirë të gjithë kohërave. Përsa u përket sulmuesve, besoj se Mesi është në një nivel tjetër në raport me kolegët e tjerë”.
Bogdani pritet me duartrokitje
Erjon Bogdani u prit me duartrokitje nga shokët e skuadrës në qendrën stërvitore te Kievos, pas rikthimit nga Shqipëria me një gol të rëndësishëm në barazimin 1-1 kundër Danimarkës. Bogdani u stërvit me grupin dhe është në dispozicion të trajnerit Di Karlo për ndeshjen e radhës kundër Bolonjës, por jo nga minuta e parë. Granoçe pritet të zërë vendin e tij.
12 Shtator 2009