Duka: Mund të luajmë në stadium jashtë Shqipërisë
"Për shkak të kushteve jo të mira të stadiumit, rrezikojmë që të mos luajmë më në Shqipëri me Kombëtaren. Do të kërkojmë një stadium jashtë vendit, nëse nuk gjejmë një zgjidhje". Këtë alarm, e jep vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Kreu i institucionit të futbollit ka komentuar problemin me stadiumin, i cili doli në pah pas ndeshjes Shqipëri-Danimarkë, teksa arbitrat turk dhe lojtarët danezë, nuk kanë mundur të lahen me ujë të ngrohtë. Nisur nga kjo, Duka tashmë i kërkon ndihmë edhe Ministrit të ri të Sporteve, Ferdinand Xhaferri, duke shpresuar se do të ketë një zgjidhje. Në të kundërt, sipas tij, mbetet që Shqipëria t'i zhvillojë ndeshjet në një stadium jashtë vendit. "Të them të drejtën, nuk e di që pas ndeshjes me Danimarkën ka munguar uji i ngrohtë në dhomat e zhveshjes. E kam lexuar në gazeta këtë gjë, por nuk di saktësisht nëse kjo ka ndodhur me arbitrat dhe Kombëtaren daneze,"- shprehet fillimisht Duka. Më tej, kreu i FSHF-së tregon problemet e vërteta, që natyrisht janë të mbartura dhe nuk kanë ndodhur vetëm pas ndeshjes me Danimarkën. "Megjithatë, nëse diçka e tillë ka ndodhur, vërtetë nuk habitem. Nuk është hera e parë që në këtë stadium ndodh kjo. E gjitha është vetëm për shkak të organizimit të dobët. Mesa di, aty arbitrat e huaj që kanë gjykuar ndeshjet e Ligës së Evropës, ku janë përfaqësuar klubet shqiptarë, kanë shkuar për t'u larë në hotel "Sheraton". Ndërkohë, një tjetër problem është që edhe dritat para ndeshjes nuk janë ndezur. Duke qenë se drejtoria e stadiumit nuk ka asnjë lloj kontrolli nga askush, vepron në këtë mënyrë. Ne si FSHF kemi një kontratë që na japin me qira stadiumin për ndeshje të Kombëtares, por që nuk na kanë plotësuar ato kushte që i kemi kërkuar. Madje kanë thënë po deshe, po nuk deshe të vazhdojmë. Sa të ketë atë formë organizimi, mendoj se përsëri ky stadium po ato probleme do të ketë", - ka thënë njëshi i institucionit të futbollit.