E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Xhulio Prroni "vishet" me ar

 

Shqipëria e mbyll kampionatin evropian të U 17-ës në Eliat të Izraelit me medalje. Vetëm 24 orë nga triumfi i dyshes Godelli-Pulaku, dje ishte radha e një tjetër talenti të shtangës që ka ngritur flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare. Xhulio Prroni është shpallur nënkampion kontinenti në peshën 85 kg me 311 kg të ngritura në total, duke lënë pas 11 rivalë. Ai është gjithashtu fitues i Medaljes së Artë në stilin e shkëputjes me 141 kg, ndërsa Medaljen e Argjendtë dhe të Bronztë e fituan bjellorusi, Vladimir Jakuta me 140 kg dhe rumuni Leonard Kobzariu, me 138 kg. Në fakt, shkodrani nuk do t'i ndahej podiumit edhe në shtytje, ndonëse këtë radhë do të nderohej me medalje argjendi, duke ngritur me sukses peshën 170 kg. 16-vjeçari Prroni, i fundit nga kuqezinjtë në aventurën izraelite, u ngjit në pedanë në shkëputje me 141 kg, provë kjo që i jep medaljen e artë. Në provën e dytë dhe të tretë, shqiptari tenton të ngrejë të njëjtën peshë, atë 145 kg, por dështon. E njëjta panoramë do të përsëritej në stilin e shtytjes. Prroni e nis me këmbë të mbarë, pasi ngre pa vështirësi peshën 170 kg, ndërsa ngec në dy provat e radhës me 174 kg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›