E Diel, 1 Nëntor 2026

Virusi A/H1N1, Ministria dështon në marrjen në kohë të përgjigjeve për të dyshuarit

Përgjigjet vijnë kur të infektuarit shërohen dhe lënë spitalin.

Jonida Tashi

Ministria e Shëndetësisë, mbikëqyrësja kryesore e përhapjes së virusit A/H1N1 në vend ka dështuar në marrjen e përgjigjeve të analizave për të dyshuarit. Tashmë ky fakt i hamendësuar nga një pjesë e madhe e opinionit publik u rikonfirmua më së miri ditën e djeshme me pacientin e radhës të prekur nga gripi i derrit në vend, që e çoi në 31 numrin zyrtar të sëmurëve. Bëhet fjalë për një 19-vjeçar nga kryeqyteti, banor i Kamzës, i cili ditën që ka marrë përgjigjen se zyrtare se është i prekur nga gripi i derrit për fatin e tij të mirë ka lënë edhe spitalin si i shëruar. Përballë kësaj situate duket se situata nuk është më nën kontrollin e ministrisë pasi kur nuk vijën përgjigjet për raste sporadike, çdo të ndodhë në ditët kur flitet se përhapja e virusit do të jetë shumë herë më e madhe.
Rasti
I riu nga Kamza, emri i të cilit mbahet anonim ishte shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, pasi kishte shfaqur shenja të rënduara të gripit. Ndërkohë që përgjigja e analizave për djalin erdhi nga Rumania, në kohën ku ai ishte shëruar nga virusi A/H1N1. Ky rast konfirmoi dyshimet e specialistëve që pretendojnë se numri i të prekurve nga virusi i gripit të derrave është shumë më i lartë se rastet e konfirmuara zyrtarisht. Madje jo vetëm kaq, por vonesat për marrjen e përgjigjeve të analizave tregojnë se ka dështuar marrëveshja që Ministria jonë e Shëndetësisë ka bërë me Rumaninë, për dërgimin e mostrave të dyshuara me grip derri në vend në laboratorin e Bukureshtit për analizim. Konfirmimi për shërimin e pacientit të ri të prekur nga gripi i derrit u bë dje nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) pas mbërritjes së rezultateve nga laboratorët e Rumanisë. Mostrat e sëmundjes së të riut u morën dhe u dërguan për analiza në Rumani. Ndërkohë 19-vjeçari u kurua më antiviralin, Tamiflu për shkak të gjendjes së rënduar të sëmundjes.
Përgjigja
Përgjigja e mbërritur nga Rumania që konfirmoi se 19-vjeçari ishte prekur nga virusi i gripit të derrit ka mbërritur në duart e mjekëve pas më shumë se një jave. Sipas kontratës që pala jonë ka bërë me OBSH-në, përgjigjet nga Rumania mund të kërkojnë 3 deri në 4 ditë kohë. Analizat për virusin kryhen falas nga Rumania, kurse mostrat e marra dërgohen në mënyrë postare, me DHL, për në shtetin Rumun dhe po në të njëjtën mënyrë vjen konfirmimi përfundimtar. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët analizojnë dhjetëra mostra theksojnë se ditët e fundit është vënë re një rritje e të prekurve nga gripi i derrit në moshën fëmijërore, por edhe tek personat mbi 60 vjeç. Deri më tani janë konfirmuar zyrtarisht 31 persona të prekur nga virusi pandemik, ndërsa pritet konfirmimi nga Rumania për nëntipin H1N1 edhe për mbi 100 mostra të tjera. Sipas ISHP-së, të gjitha rastet e trajtuara në vendin tonë kanë patur simptoma të lehta dhe janë shëruar plotësisht. Por, situata me gripin e rrezikshëm pritet të agravihet në vjeshtë që njihet si stina e gripërave. Për këtë arsye, specialistët tërheqin vëmendjen tek higjiena personale. Sipas tyre, tashmë është e vërtetuar që larja e duarve sa më shpesh me ujë dhe me sapun e pakëson mundësinë e përhapjes së virusit me disa 20-30 herë.

Masat parandaluese
Të hënën do të shpërndahen posterat në shkolla

Ditën e hënë në të gjitha shkollat e vendit, do të shpërndahen broshura, ku do të ketë informacione të detajuara mbi gripin e derrit, por edhe mënyrat sesi fëmijët të mbrohen prej tij. Drejtori i Arsimit parauniversitar, Fatmir Vejsiu sqaron se mësuesit janë udhëzuar t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë sjelles së nxënësve në klasë. “Kemi marre një sasi të konsiderueshme materialesh, postera e broshura, si dhe kemi çuar një udhëzim të veçantë ku do të bëhen të ditura të gjitha arsyet e mosfrekuentimit të mësimit nga ana e nxënësve”,- shprehet Vejsiu.

Paralajmërimi
OBSH: Mbyllja e shkollave mund të ngadalësojë përhapjen e virusit H1N1

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se mbyllja e shkollave mund të ngadalësojë përhapjen e gripit të derrit. Sipas OBSH-së, mbyllja e shkollave në fillim të përhapjes së gripit H1N1 në komunitet, mund të ngadalësojë ndjeshëm përhapjen e virusit te studentët dhe familjet e tyre dhe fitojë kohë në sigurimin e vaksinave. OBSH-ja deklaroi dje se shkollat kanë qenë një nga burimet e transmetimit të shpejtë të gripit të derrit në Nju Jork dhe zona të tjera. Me afrimin e sezonit të ri shkollor në hemisferën veriore, shumë vende po përpiqen të gjejnë zgjidhje për frenimin e përhapjes së gripit. Nuk ekziston një mënyrë e vetme që mund të ndalojë plotësisht përhapjen e virusit H1N1, por disa hapa mund ta ngadalësojnë atë, thuhet në një raport këshillues të OBSH-së për 193 vendet e saj anëtare. Rezultati më i mirë do të vinte “kur shkollat do të mbylleshin në fillimet e përhapjes në masë, saktësisht para se 1 për qind e popullsisë të infektohet”,- thuhet deklaratën e OBSH-së. Sipas parashikimeve të kësaj organizate, me kushtet ideale, mbyllja e shkollave mund ta reduktojë kërkesën për kujdes mjekësor nga 30 deri në 50 për qind duke pasur parasysh kulmin që mund të arrijë pandemia. Reduktimi i numrit të personave që kanë nevojë për trajtim mjekësor është mjaft i rëndësishëm, kur luftohet me një sëmundje gripale për shkak se spitalet dhe qendrat e tjera shëndetësore rrezikojnë të mbipopullohen. “Megjithatë, nëse shkollat do të mbyllen tepër vonë kur një valë e dytë përhapje të ketë nisur, rezultatet për frenimin e sëmundjes do të jenë mjaft të vogla”,- vijon deklarata e OBSH-së. Deri tani virusi H1N1 ka shkaktuar rreth tre mijë viktima që kur u shfaq për herë të parë në Amerikën e Veriut dhe aktualisht është virusi gripal më i përhapur në të dyja hemisferat.

12 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›