E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zani Çaushi shpëtoi policin e marrë peng në Qafë-Gjashtë"

Zani Çaushi është një hero për policinë gjatë masakrës së Qafë-Gjashtës. Dje, në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dëshmuar Xhevdet Koçia. Ai tha se "i forti" i Vlorës ka shpëtuar pengun Eduart Alija nga duart e bandës që vepronte në Sarandë. Madje, dëshmitari tha se Çaushi është kujdesur për punonjësin e policisë dhe në spitalin e qytetit, ku Alija është dërguar për t‘u kuruar. Dëshmitari tregoi edhe momentet e para të ngjarjes, gjetjen e trupit të pajetë të Gjergj Mehmetit të karbonizuar, si dhe kujdesen për Aliajn. Në fillim të seancës, Koçia iu drejtua avokatit mbrojtës, Alfred Duka, me një ton të ashpër. Ai i tha se ka qenë kreu i SHIK në Sarandë dhe nuk duhet të ishte duke mbrojtur të pandehurit mbi të cilët rëndon vdekja e policit Gjergj Mehmeti dhe rrëmbimi i policit tjetër, Eduart Alia, e torturimi i tij. "Kush të ka pranuar ty si avokat. Çfarë do këtu ti", tha dëshmitari ish-ushtarak.

Duke u rikthyer te ngjarja, objekt gjykimi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, dëshmitari tha se nuk ka parë gjë në moment, por në vend ka shkuar pas disa orësh vetëm atëherë kur e lajmëruan. Tha se ditën e 4 marsit të vitit 1997 ka qenë duke pirë kafe në qendër të Sarandës së bashku me shokun e tij, Fuat Karalliun. "Ka qenë pasdite, kur Asllan Brinja, një qytetar nga Saranda, na informoi se në Qafë-Gjashtë po vriteshin njerëz. Më tha ‘O tate‘, kush është ushtarak të vijë menjëherë. Kam hipur në makinë me Fuatin dhe jemi nisur për në Qafë-Gjashtë", ka nisur të tregojë dëshmitari. Sipas tij, kur kanë arritur në vendngjarje kanë parë më shumë se 1500 persona, burra e gra të moshuar dhe të rinj, të cilët ishin duke kaluar dhe ulëritur. Në të njëjtën kohë, sipas tij, në Qafë-Gjashtë dëgjoheshin të qara. Dëshmitari tha se ka marrë një megafon dhe i ka kërkuar turmës që të mos qëllonin me armë. "Përveç rrëmujës kam parë Eduart Aliajn, që ishte i lidhur dhe ka qenë i plagosur. Ka pasur dhe njerëz me kapuç të cilëve iu kam kërkuar që t‘i hiqnin. Më pas atë që u mor peng e kam dërguar në spital. Jam interesuar për të. I kam dhënë cigare dhe ushqim. Madje i kam kërkuar Ristan Lapit që të kujdesej për të dhe të mos e keqtrajtonin. Më pas mora vesh që kishte ardhur Zani Çaushi dhe e kishte marrë", tregoi dëshmitari.

Ai tha se punonjësi i policisë Eduart Aliaj nuk kishte mundësi të largohej nga spitali, pasi jeta e tij dhe e policit ishte e kërcënuar dhe mund të merrte ndonjë plumb të panjohur. Përpara gjykatës, dëshmitari ka sqaruar se kishte parë edhe makinën e djegur, në të cilën ndodhej viktima Gjergj Mehmeti. "Kam shkuar tek automjeti. Pashë një njeri të djegur që nuk nxirrte tym, edhe makina po ashtu. Ai ishte i ulur në sediljen e pasme", ka vazhduar me tej ai. Më pas tha se ishte futur edhe në një kotec pulash për të parë se ku ndodhej Sokol Bizhga. Për këtë të fundit mësohet se kishte marrë dijeni se kishte mundur të largohej sapo kishte ndodhur ngjarja. Ndërkohë, seancën tjetër do të dëshmojnë dy punonjësit e policisë që kanë qenë në automjet së bashku me Bizhgën dhe viktimën Gjergji Mehmeti. Mësohet se punonjësi Eduart Aliaj ndodhet në qytetin Komos në Itali.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›