Amendamenti, Ndoka: Berisha të mos bjerë pre e presioneve të PS-së
Partia Demokristiane, përmes një amendamenti drejtuar Komisionit të Reformës Zgjedhore propozon që të gjitha partitë politike parlamentare të kenë përfaqësuesit e tyre në komisionet e numërimit të votave. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, ndërsa bëri të ditur këtë nismë i kërkoi Kryeministrit Berisha që të mos bjerë pre e presioneve me dosjen e Gërdecit dhe çështjen Fazlliç në kurriz të zgjedhjeve të ardhshme. Ndërkaq, ai siguroi se forca politike që ai drejton, nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që PD-ja të imponojë vullnetin e saj. Sipas Ndokës, dy forcat e mëdha politike në kundërshtim edhe me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtare për interesa pushteti duan t'u privojnë shqiptarëve zgjedhje të lira. Ndoka është një nga firmëtarët e letrës së dërguar kreut të shtetit nga një grup deputetësh ku paralajmërojnë grevë urie në mbrojtje të votës së lirë. Ai akuzoi dje se PD dhe PS dhe udhëheqësit e tyre, për interesa pushteti dhe jashtë çdo morali e norme politike si dhe në kundërshtim me rekomandimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, duan t’u privojnë shqiptarëve zgjedhjet e lira. “Ne e sigurojnë PD-në se sot dhe asnjëherë nuk do të pranojnë skemat imponuese të saj për të na caktuar kryetarin, për të na shkrirë duke ofruar ndonjë post në formë karameleje apo për të na shitur tek PS në shkëmbim të shitjes prej kësaj të fundit të LSI-së”, - tha z. Ndoka. Në emër të PDK-së, ai i kërkoi PD-së dhe z. Berisha që të dëshmojnë dinjitet dhe përgjegjësi. Sipas Nard Ndokës, asnjë presion me dosjet e Gërdecit apo Faslliçit të mos e detyrojë atë të bëjë marrëveshje antidemokratike që vjedhin votën e shqiptarëve dhe çojnë në humbjen e të djathtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Ne do të përdorim të gjitha energjitë tona politike kundër modelit të partisë shtet që po krijojnë drejtuesit e PD-së dhe PS-së, për të shpëtuar procesin zgjedhor dhe institucionin e votës së lirë në Shqipëri”, - theksoi z. Ndoka.