Topalli: Në buxhetin e ri fond për pajisjet kundër kancerit
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e vazhdoi këtë javë fushatën e saj sensibilizuese për përkujdes ndaj shëndetit të nënës e fëmijës, në disa komuna të Tiranës, si Paskuqan dhe Ndroq. Duke konkretizuar premtimin e saj se do jetë në çdo fshat e qytet për të sensibiluzar në emër të jetës, ajo bëri të mundur përgjatë një jave që ekipe shëndetësore të specializuara për diagnostifikim të kancerit të qafës së mitrës, të ishin të pranishëm në ambulancat e komunave Farkë, Ndroq e Paskuqan për të kryer ekzaminimet falas. “Bëni kujdes për shëndetin tuaj, kryeni ekzaminimet parandaluese! Bëjeni për veten dhe fëmijët tuaj! Bëjeni për vijimësinë e jetës e përcilleni këtë mesazh tek nënat tuaja, motrat tuaja, tek miket tuaja!” - u tha Topalli grave të këtyre zonave. Në takimin me gratë e komunës së Paskuqanit kryetarja e Kuvendit vuri theksin tek mbështetja konkrete që Parlamenti do të japë në luftën kundër tumoreve. “Unë do të përpiqem që në çdo qytet të çoj mamografinë dhe të bëjmë të mundur që kjo aparaturë të dërgohet dhe në komunat e tjera, ku gratë pa shpenzime të bëjnë një jetë të shëndetshme për veten, fëmijët dhe familjet e tyre. Dhe më lejoni t’u drejtohem vajzave të reja të cilat duhet të bëjnë kujdes për shëndetin e tyre, që të nesërmen të jenë nëna të lumtura dhe gra të shëndetshme”, - tha Topalli.
Berisha, Tatarzynska: Polonia, krah Shqipërisë për në BE
Kryeministri Berisha takoi dje ambasadoren e re tp Polonisë në Shqipëri, zonjën Irena Tatarzynska. Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu zonjës Tatarzynska mirënjohjen për përkrahjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në NATO dhe në BE. Ambasadorja Tatarzynska e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin për mikpritjen dhe shprehu bindjen se përkrahja e Polonisë për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Duke vlerësuar arritjet e qeverisë shqiptare në reformat e gjithanshme të ndërmarra në vend, ambasadorja Tatarzynska shprehu vlerësimin e lartë për punën e bërë nga qeveria gjatë këtyre tre viteve, duke theksuar se ishin rezultat e reformave të kësaj qeverie, të evidentuara edhe në raport progresin e fundit të KE-së, të cilat bënë të mundur marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, nga ana e Shqipërisë. Kryeministri Berisha dhe zonja Tatarzynska vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Polonisë dhe Shqipërisë dhe shprehën vendosmërinë e qeverive të të dy vendeve për t’i intensifikuar më shumë ato në të ardhmen, veçanërisht shkëmbimet tregtare, nxitjen e investimeve polake në Shqipëri, si dhe nxitjen e projekteve konkrete ne fushën e kulturës, arsimit etj.