E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha; Korrupsioni po përhapet në institucione

Kryeministri pranoi se konstatimi i bërë nga Komisioni Evropian për korrupsionin është absolutisht i vërtetë. Për këtë ai pohoi: “Nuk bëhet fjalë që korrupsioni të jetë i kufizuar vetëm në këtë apo atë institucion apo zonë, ai është i përhapur gjithandej”. Por, sipas tij, raporti thekson se perceptimi për korrupsionin është përmirësuar

Kryeministri Sali Berisha shpreh shqetësimin se korrupsioni po depërton në të gjitha institucionet shtetërore. Por duke pohuar se krahasuar me vite më parë, lufta antikrim dhe antikorrupsion ka progres. Duke iu referuar raportit të KE-së për Shqipërinë, në mbledhjen e djeshme të komitetit ndërministror, Kryeministri denoncoi faktin se korrupsioni është përhapur kryesisht në sektorët jetësorë të shqiptarëve. “Raporti me të drejtë vlerëson se korrupsioni është i përhapur në shëndetësi, dogana dhe unë personalisht mund t’i shtoj edhe zëra të tjerë, por raporti thekson se perceptimi për korrupsionin është përmirësuar, se qeveria ka bërë përpjekje për luftën kundër korrupsioni në taksa, në prokurime, në dogana, sistemin e drejtësisë etj.”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri pranoi se konstatimi i bërë nga Komisioni Evropian për korrupsionin është absolutisht i vërtetë. Për këtë ai pohoi: “Nuk bëhet fjalë që korrupsioni të jetë i kufizuar vetëm në këtë apo atë institucion apo zonë, ai është i përhapur gjithandej”. Sipas Berishës, raporti thekson se janë penalizuar rreth 110 zyrtarë të niveleve të ndryshme dhe kjo do të thotë se ndëshkimi ndaj korrupsionit është real në Shqipëri. “Në qoftë se vitin e kaluar në raport theksohej se korrupsioni është një problem ‘shumë serioz’, në raportin e këtij viti evidentohet fakti se korrupsioni mbetet një problem ‘veçanërisht serioz’” - deklaroi z. Berisha. Kryeministri mori në analizë edhe çështjen e reformës zgjedhore për të cilën garantoi se vitin e ardhshëm shqiptarët do të votojnë të lirë e të ndershëm. Në raportin e KE-së sipas Berishës shprehet vlerësimi për metodën e procesit të zgjedhor, mandatit të prokurorit të përgjithshëm, mënyrës së zgjedhjes së presidentit, si dhe miratimit të ligjit për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Sipas Berishës, në raport ka një vlerësim të qartë për punën e Ministrisë së Integrimit, forcimin e kapaciteteve të kësaj ministrie. Po ashtu Kryeministri foli dhe për vërejtjet e bëra në adresë të lëvizjeve politike në administratën publike. Por Berisha vlerësoi reformat e marra nga parlamenti dhe morina e reformave të ndërmarra për përafrimin e legjislacionit me parametrat evropiane, dhe ndalet në momentin e zgjedhjes së gjykatësve.

Në mbledhjen e djeshme të komitetit ndërministror, Kryeministri u ndal dhe tek liberalizimi i vizave për të cilin u shpreh se Shqipëria është vend potencial për heqjen e tyre me vendet e BE-së. Berisha përmendi se shkalla e lartë e sigurisë, kontrolli serioz që i bëhet kufijve, bashkëpunimi serioz me Interpolin, Evropolin dhe me të gjitha vendet mike, janë çështjet kyçe që ky vend sot shpallet që me plotësimin e disa kushteve të tjera mund të ketë lëvizjen e lirë pa viza të qytetarëve të saj. Këto janë dy mesazhe të mëdha, të shumëpritura”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›