Gratë e komunave të Tiranës mbështesin Topallin për luftën kundër kancerit
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e vazhdoi këtë javë fushatën e saj sensibilizuese për përkujdes ndaj shëndetit të nënës e fëmijës, në disa komuna të Tiranës, si Paskuqan dhe Ndroq. Duke konkretizuar premtimin e saj se do jetë në çdo fshat e qytet për të sensibiluzar në emër të jetës, ajo bëri të mundur përgjatë një jave që ekipe shëndetësore të specializuara për diagnostifikim të kancerit të qafës së mitrës, të ishin të pranishëm në ambulancat e komunave Farkë, Ndroq e Paskuqan për të kryer ekzaminimet falas. “Bëni kujdes për shëndetin tuaj, kryeni ekzaminimet parandaluese! Bëjeni për veten dhe fëmijët tuaj! Bëjeni për vijimësinë e jetës e përcilleni këtë mesazh tek nënat tuaja, motrat tuaja, tek miket tuaja!” - u tha Topalli grave të këtyre zonave. Në takimin me gratë e komunës së Paskuqanit kryetarja e Kuvendit vuri theksin tek mbështetja konkrete që Parlamenti do të japë në luftën kundër tumoreve. “Unë do të përpiqem që në çdo qytet të çoj mamografinë dhe të bëjmë të mundur që kjo aparaturë të dërgohet dhe në komunat e tjera, ku gratë pa shpenzime të bëjnë një jetë të shëndetshme për veten, fëmijët dhe familjet e tyre. Dhe më lejoni t’u drejtohem vajzave të reja të cilat duhet të bëjnë kujdes për shëndetin e tyre, që të nesërmen të jenë nëna të lumtura dhe gra të shëndetshme”, - tha Topalli.