Amendamenti për presidentin, Rusmajli: Është keqkuptuar
Përfaqësues të mazhorancës në delegacionin shqiptar në Strazburg thanë se nuk kishin kërkuar shmangien e presidenti nga roli i mediatorit mes palëve politike për zgjidhjen e krizës. Ilir Rusmajli tha se amendamenti i tyre për këtë çështje ishte keqkuptuar.
“Unë besoj se kjo ka qenë ndoshta në mënyrë të pavullnetshme një lexim i
gabuar ndoshta nga përfaqësues të medias sepse kontesti i amendamenteve
që ne propozuam në Asamble ka qenë pikërisht që të koncentrohen të
gjitha përpjekjet dhe t’i jepet e gjithe ndihma e Asamblesë Parlamentarë
të Këshillit të Europës, presidentit të republikës me qëllim që ai
brenda kuadrit që përcakton rezoluta të mund të eksploronte zgjidhjet”
tha Rusmajli.
Duke komentuar rezolutën e Keshillit të Europës Rusmajli tha se aty
kërkohet qartë ngritja e një komisioni hetimor për zgjedhjet, por jo
hapja e kutive. “Kërkesat që zoti Rama përpiqet sot e gjithë ditën t’i
përsërisë gati në mënyrë automatike kanë marrë përgjigje drejtpërdrejtë
dhe përfundimtare nga gjykatat shqiptare. Prandaj kërkohet të hapet
spiralja me komision hetimor. Por komisionit hetimor nuk i lejohet
kurrësesi që të prishë vendimet e gjykatave sepse është jashtë
funksioneve të veta kushtetuese dhe këtu nuk ka asnjë lloj ekuivoku.
Këtu nuk ka asnjë lloj paqartësie” tha Rusmajli.
Ndërkohë një anëtare tjetër e delegacionit, Lajla Përnaska, rikujtoi
edhe një herë incidentin me kredencialet në Asamblenë Parlamentare të
Këshillit të Europës duke bërë përgjegjëse për këtë Partinë Socialiste. “Duke dënuar edhe një herë me shumë forcë këtë akt sa të shëmtuar aq dhe
të padenjë, unë do të doja t’i bëj thirrje deputetëve të PS që të
dënojnë po me aq forcë antikombëtarizmin e kryetarit të tyre” tha
Përnaska.
Taulanta Boja