Zgjedhjet në Prizren e Lipjan, policia merr masa për mbarëvajtjen e procesit

800 zyrtarë policorë janë angazhuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Prizren dhe Lipjan. Kështu bën të ditur drejtori për Planifikim dhe Zhvillimin në policinë e Kosovës, Granit Fetahu, duke shtuar se për këtë qëllim policia e Kosovës, në bashkëpunim me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve ka hartuar një plan operativ të sigurisë, për të garnatuar procesin zgjedhor të 31 janarit, në Prizren e Lipjan.
Me këtë rast fetahu tha se fletëtvotimet kanë arritur në Kosovë dhe janë
duke u ruajtur nga policia e Kosovës dhe nuk është shënuar asnjë
incident si gjatë këtij procesi ashtu edhe gjatë pesë ditëve të kaluar
të fushatës zgjedhore.
Ndërsa kryetari ekzekutiv i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të Kosovës,
Xhemail Peqani, saktësoi se fletëvotimet që do të përdoren për votimet e
së djelës janë shtypur në Slloveni dhe aktualisht janë në depon e
KQZ-së, sigurinë e së cilave e ka marrë përsipër Policia e Kosovës.
Materiali që quhet sensitiv tashmë është në depot e komisioneve
komunale, ndërsa shpërndarja e këtij materiali do të fillojë në orën
5:00 të ditës së dielë.
Ndryshe, rivotimi në Prizren dhe Lipjan, i treti brenda 3 muajve, u
vendos për shkak të parregullsive që ndodhën në dy raundet e kaluara të
zgjedhjeve. Në 86 qendra votimi e 269 vendvotime, 185 mijë e 933
qytetarë me të drejtë vote pritet të votojnë të dielën më 31 janar, nën
monitorimin e 2.811 vëzhguesve.
Agim Popoci