E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, mbrojtje për gjyqtarët e guximshëm

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Uidhers ka cituar edhe raportin e Departamentit Amerikan në Shqipëri duke deklaruar se gjykatat janë vendi ku tregohet gjendja e vërtetë e demokracisë në Shqipëri.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin çdo gjyqtar të guximshën në Shpipëri. Por sistemi i drejtësisë, sipas SHBA-së, duhet të korrigjohet pa ndërhyrjen e politikës. Këto kanë qenë dy pikat ku SHBA mbështet sistemin e drejtësisë dhe kërkon organizimin e tij. Kryediplomati Xhon Uidhers, i pranishëm në një takim me krerët e gjykatave i kërkon gjyqësorit shqiptar të punojë për forcimin e shtetit ligjor. Uidhers u garantoi gjyqtarëve që nuk do të jenë vetëm në këtë proces të rëndësishëm të demokracisë. Takimi është zhvilluar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ku i pranishëm ishte ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, krerët e gjykatave dhe përfaqësues të KLD-së.
Ambasadori
Ambasadori amerikan në Shqipëri vë në dukje të metat e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Përmes një deklarate diplomatike, ku theksohet se sistemi i drejtësisë në vend duhet të korrigjohet pa ndërhyrjen e politikës, Uidhers ka lënë të kuptohet se sistemi çalon. Sipas ambasadorit amerikan në Tiranë, shteti i së drejtës duhet ndërtuar tullë mbas tulle, por që i rëndësishëm mbetet fakti i ndarjes së pushteteve që është një nga përbërësit e demokracisë së një shteti. Ai kërkoi respektimin e pavarësisë së gjyqësorit. “Ndarja e pushteteve me rëndësi në demokraci. Pavarësia shërben për të mbështetur ligjin pa presione. Ndaj përkushtojuni mbrojtjes së pavarësisë, pasi çdo kërcënim ndaj gjyqësorit është thjesht një hap prapa”. ”Demokracia provohet në gjykata. Dëshmoni kurajo për t i rezistuar presionit. Korrigjoni sistemin pa ndërhyrjen e forcave politike, pa sherre”, - tha Uidhers duke shtuar se mesazhi i tij është një dhe i qartë: “Nuk jeni vetëm në vendosmërinë për të respektuar ligjin. SHBA ndodhet krah jush në vendimet kurajoze. Ndaj respektoni ligjin me vendosmëri”, - iu drejtua Uidhers gjyqtarëve të pranishëm në takim.
KLD
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, kërkoi nga ana e gjyqtarëve që të gjejnë forma reagimi ndaj cenimeve që u bëhen. Tre javët e fundit të angazhimit të Këshillit në analizat e punës njëvjeçare në të gjitha gjykatat e dy shkallëve të para të gjykimit në Shqipëri, në vlerësimin tim personal, kanë konfirmuar ndjeshmërinë e lartë të gjyqësorit shqiptar, si ndaj problematikave me të cilat ai përballet, ashtu dhe ndaj mundësive të përmirësimit të tyre, - theksoi Spahiu. Gjithashtu, ky i fundit shprehu mirënjohje për qeverinë amerikane për ndihmën në këshillim dhe investime reale që ka bërë kundrejt gjykatave. “USAID investoi në 10 gjykata të rëndësishme në vend. I shprehim mirënjohje qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, - iu drejtua Spahiu, - Uidhersit.

Asistenca e USAID-it
- në përmirësimin e infrastrukturës së gjykatës nëpërmjet pajisjeve me mjete logjistike,
- në realizimin e trajnimeve për rritjen e eficensës se sekretarisë gjyqësore gjatë gjykimeve,
- në trajnime me vetë gjyqtarët dhe stafin administrativ, ku do të veçoja rëndësinë e temave të trajtuara, si ajo mbi ligjin për të drejtën e informimit.

Uidhers
Deklarata e ambasadorit për gjyqtarët
"U shqetësova shumë nga veprimet në Parlament të hënën në mbrëmje (16 qershor). Për të qenë i sinqertë, e kam të pamundur të besoj se asnjë nga kandidatët e propozuar nuk u konsiderua i kualifikuar. Tek ata kombinoheshin eksperienca, arsimimi, aftësitë, përgatitja dhe trajnimi. Siç e përmendët dhe ju, njëri prej tyre ishte për nëntë vjet gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. As edhe njëri prej tyre nuk u konsiderua i kualifikuar. Kjo është shqetësuese dhe unë mund të arrij vetëm në përfundimin se deputetët përdorën detaje teknike në ligj për të anashkaluar, madje rrëzuan frymën e parimeve demokratike.

Plagosja e gjyqtarit
Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, ka reaguar ndaj atentatit kundër gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Ambasadori amerikan shprehu shqetësimin e tij personal në lidhje me ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë ndaj gjyqtarit Nuni, duke kërkuar dhe theksuar se agjencitë ligjzbatuese duhet të bëjnë më së miri punën e tyre në kuadër të zbulimit dhe vënies para drejtësisë të autorëve të ngjarjes. Ambasadori amerikan u shpreh se organet e pavarura të drejtësisë duhet të jenë në front të luftës antikorrupsion në respekt absolut ndaj parimeve demokratike. Uidhers dhe Becaj deklaruan se sistemi gjyqësor në një vend demokratik është një nga hallkat më të rëndësishme me një vlerë të pazëvendësueshme.

Mbrojtje për Prokurorinë
“Qeveria dhe populli amerikan do të jenë thellësisht të shqetësuar nëse ndonjë faktor, parti apo udhëheqës politik bën deklarata apo ndërmerr veprime që, në ndonjë mënyrë, do të përfshinin ndonjë axhendë politike në çka duhet të jetë një hetim i paanshëm dhe i pavarur, bazuar mbi sundimin e ligjit”, - tha ambasadori Uidhers, i cili shprehu mbështetjen ndaj kryeprokurores Ina Rama.

Hetim të paanshëm për Gërdecin
Në një deklaratë të bërë nga ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, pas takimit me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, thuhet se Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbetet në mënyrë të përhershme e përkushtuar ndaj një hetimi të paanshëm e të plotë, të bazuar plotësisht mbi fakte ligjore. Qeveria amerikane, thotë ambasadori Uidhers, nuk do të paragjykojë përfundimin e ndonjë procedimi ligjor, por pret që përmasat dhe natyra që do të ketë hetimi të përcaktohen vetëm mbi bazën e fakteve. Qeveria amerikane, thotë ambasadori Uidhers, do ta shihte me zhgënjim dhe me alarm çdo përpjekje për t ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. Është detyra kushtetuese e Prokurores së Përgjithshme, dhe jo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që ta kryejë punën pa ndërhyrje.

Në Shqipëri, raste trafikimi të femrave
Ambasadori amerikan ka theksuar se "në Shqipëri ka ende shumë raste të trafikimit të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të femrave për qëllim prostitucioni". Në këtë kuadër, Uidhers kërkoi që qeveritë të hartojnë ligje, që të ofrojnë mbrojtje për gratë e abuzuara, të cilat kërkojnë drejtësi. "Këtu në Shqipëri çdo vit njerëzit detyrojnë gratë të hyjnë në rrugën e prostitucionit apo i trafikojnë ato. E dimë se sot kudo në mbarë botën, gratë i nënshtrohen dhunës, kudo ku jetojnë", deklaroi Uidhers. Ai kërkoi veprim më të shpejtë nga drejtësia për këto çështje. "Ajo që ndryshon mes vendeve janë mekanizmat mbrojtëse e mbështetëse institucionale apo ligjore, që u ofrojnë mbrojtje grave që abuzohen e që kërkojnë drejtësi.
Ky lajm është publikuar: 03/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›