E Diel, 1 Nëntor 2026

“Balerina”, pranga tre trafikantëve

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Operacioni “Balerina” ka çuar në pranga tre persona në Durrës dhe Korçë, pasi ishin duke bërë trafikimin e një vajze në drejtim të Greqisë. Mësohet se 21-vjeçarja me inicialet M. Ll., ishte mashtruar nga Mehdi Xhihani, 45 vjeç, Xhemal Zenuni, 21 vjeç dhe Altin Brahimi, 25 vjeç, që janë vënë në pranga gjatë ditës së djeshme. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë se të arrestuarit janë vënë nën akuzën e “trafikimit të qenieve njerëzore”. Sipas të njëjtave burime mësohet se ndalimi i tyre është bërë në qytetet Korçë dhe Durrës, pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë rekrutuar 21-vjeçaren me inicialet M.Ll., me qëllim për ta trafikuar drejt Greqisë.
Trafiku
Përfundojnë në pranga tre të dyshuar për trafik femrash për prostitucion. Tre të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin rekrutonin në vajza dhe më pas i nisnin drejt shtetit helen, ku më pas i trafikonin. Operacioni i djeshëm ka marrë emrin “Balerina”, pasi të arrestuarit i kishin premtuar 21-vjeçares një vend pune si balerinë në lokalet e natës në Athinë. Por siç duket, ajo e kishte kuptuar se në Greqi do të shkonte jo për t u bërë balerinë, por për të prostituuar në rrugët e shtetit grek. E duke e ditur, ajo ka njoftuar të afërmit e saj. Këta të fundit kanë bërë të mundur, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, zbulimin dhe arrestimin e tre të dyshuarve. Por sipas policisë, Xhihani, Zenuni dhe Brahimi kanë tentuar të rekrutojnë edhe tri vajza të tjera, duke u premtuar punën si balerina. Por kjo nuk ishte e vërteta, pasi qëllimi ishte trafikimi drejt Greqisë, më pas shfrytëzimi i tyre për prostitucion.
Hetimet
Drejtoria kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, kanë hetuar prej disa kohësh aktivitetin kriminal të të dyshuarve. Të dhënat janë marrë fillimisht në rrugë operative, por më pas një grup i posaçëm hetimi ka ndjekur në çdo hap tre të arrestuarit dhe viktimat e tyre deri në realizimin e arrestimit në kushtet e flagrancës. Ndalimi i tyre është bërë për veprën penale të “trafikimit të femrave”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 114/b e 25 i Kodit Penal. Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas kanë tentuar të rekrutojnë dhe tri shtetase të tjera me qëllim trafikimin drejt Greqisë dhe më pas shfrytëzimin e tyre për prostitucion. Pas ndalimit të tyre materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Të arrestuarit
1. Mehdi Xhihani, 45 vjeç, lindur në Korçë e banues në Durrës.
2. Xhemal Zenuni, 21 vjeç, lindur në Elbasan banues në Shijak.
3. Altin Brahimi, 25 vjeç, lindur e banues në Durrës.
Ky lajm është publikuar: 03/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›