E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë “në kërkim” të procedurës për dosjen e Bashës

Gjatë ditës së djeshme, asnjë veprim nuk është kryer me dosjen e dorëzuar.

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Lartë ende nuk e ka vendosur mënyrën se si do të veprojë për dosjen penale në ngarkim të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. Burime zyrtare shpjeguan dje për gazetën “Albania” se gjatë ditës së djeshme nuk është kryer asnjë veprim ligjor ndaj dosjes. Drejtuesit e kësaj gjykate po diskutojnë për mënyrën se si do të procedohet duke qenë se kjo dosje është e para që ka mbërritur për t’u shqyrtuar në themel.
Prokuroria dorëzoi të premten e kaluar dosjen në Gjykatën e Lartë .Sipas të dhënave, dosja “Basha” përbëhet nga 4 fashikuj, ndërsa në zarfin e dorëzimit të dosjes ndodhet firma e kryeprokurores Ina Rama. Basha akuzohet për shpërdorim fondesh në rrugën Durrës- Kukës gjatë kohës që ai ka qenë ministër i Transporteve.
Gjykimi
Ende nuk dihet se si do të gjykohet dosja penale “Durrës-Kukës” me të pandehur ministrin Lulzim Basha. Gjykata e Lartë deri dje nuk ka bërë asnjë detaj publik duke premtuar se do të shprehet në ditët në vazhdim për dosjen në fjalë. Mesa duket, ligji për funksionimin e Gjykatës së Lartë e ka të përcaktuar gjykimin e zyrtarëve të lartë, por nuk e ka edhe aq të qartë procedurën që do të ndiqet në të tilla raste. Ndërkohë që dosja voluminoze Durrës-Kukës është dorëzuar për gjykim, avokatët e të akuzuarve nuk do të heqin dorë nga kërkesat penale për shpalljen të pavlefshme të veprimeve të prokurorisë.
Akuzat
Lulzim Basha dhe Andi Toma nuk e kanë firmosur dosjen penale në ngarkim të tyre, por Prokuroria e Përgjithshme, pavarësisht këtij refuzimi, e ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë. Ish-kreu i Ministrisë së Transporteve Basha dhe ish-vartësi i tij, Andi Toma, akuzohen për abuzime me fondet e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e “Durrës-Kukës”. Sipas ekspertëve, dëmi që i është shkaktuar shtetit kap shifrën e 232 milionë eurove. Për abuzime me fondet u akuzuan edhe ish-zëvendësministri i Transporteve Armand Teliti dhe ish-drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve, Lejla Saraçi. Prokuroria e pushoi akuzën për këta dy ish-zyrtarë për mungesë provash dhe faktesh.

Prokurori dorëzon kërkesën në Gjykatën e Tiranës

Prokurori i dosjes “Durrës-Kukës” dorëzoi dje kërkesën në Gjykatën e Tiranës për përjashtimin e Fatmira Hajdarit. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan dje se kërkesa ka mbërritur gjatë ditës së djeshme dhe pritet që sot të kalojë për short. Gjyqtari që do të përzgjidhet do të vendosë nëse kërkesa e ministrit Lulzim Basha do të gjykohet nga gjyqtarja Fatmira Hajdari. Vetëm pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Gjykatës së Faktit të mos gjykonte kërkesat e ministrit Basha, por të shprehej si jokompetente për këtë çështje. Kjo kërkesë u rrëzua nga gjyqtarja Hajdari. Sipas saj, në këtë rast nuk kishim të bënim me dosje por me një kërkesë për pavlefshmëri aktesh. Vendimi i gjyqtares nuk u pranua nga prokurori duke e cilësuar atë për njëanshmëri.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›