E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiti 85 mijë euro dhe 60 mijë USD në banesën e ish-drejtorit të bankës



FIER - Një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, me akuzën e vjedhjes së një shumë të madhe parash në një shtëpi në Fier. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, ndërkohë që njëri nga autorët ka rënë në prangat e policisë mëngjesin e djeshëm. Sipas burimeve zyrtare mësohet se pre e grabitjes ka rënë ish-drejtori i një banke të njohur në Fier, shtetasi Ilir Dulla. Në kohën që në banesën e tij kanë hyrë dy grabitësit, në shtëpi nuk ka qenë asnjë nga familjarët brenda. Duket se ata e kanë studiuar mirë situatën dhe kanë gjurmuar rastin kur edhe vjehrra që banonte me të, nuk ka qenë në banesë dhe pastaj kanë hyrë brenda. Aty kanë marrë një shumë prej 85 mijë eurosh dhe 60 mijë dollarë amerikanë. Së paku kështu ka dëshmuar në polici i dëmtuari 37-vjeçar. Pas marrjes së denoncimit policia është vënë në kërkim dhe brenda disa orësh ka mundur të arrestojë një nga autorët. “Në pranga u vu shtetasi Edmond Avdo, 41 vjeç, lindur dhe banues në Fier”, - thanë burimet policore, duke saktësuar se bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim.

Rendi në kryeqytet, arrestohen dy vjedhës dhe shpallet në kërkim shkaktari i një aksidenti
TIRANË - Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e policisë së qarkut të Tiranës kanë arrestuar dy vjedhës dhe kanë shpallur në kërkim një person, i akuzuar si shkaktar i një aksidenti më pasojë vdekjen e një të moshuari. Burime zyrtare të policisë së këtij qarku thanë dje për gazetën “Albania” se mbrëmjen e kaluar uniformat blu kanë ndaluar 33-vjeçarin Ledion Yzeiri, teksa po grabiste një automjet tip “Benz”, taksi, me targë TR 746 B, i parkuar në rrugën “3 dëshmorët”. Me akuzën e tentativës së vjedhjes u arrestua dhe Juxhin Rushiti, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, Rushiti dyshohet si autor i vjedhjes se shumës 224 000 lekë, në banesën e një shtetaseje. Ndërsa forcat e policisë së Komisariatit të Kavajës, që përfshihet në qarkun e Tiranës, kanë shpallur në kërkim 21-vjeçarin Elton Bajraktari, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Nga hetimet e deritanishme rezulton se i riu, duke drejtuar një motor “Kavasaki”, pa targa, me drejtim lëvizje Rrogozhinë-Durrës, ka aksidentuar për vdekje këmbësorin, Nuredin Muça 77 vjeç. Drejtuesi i motorit është larguar menjëherë nga vendngjarja megjithëse ka pësuar dëmtime.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›