Ish-kryeprokurori i Durrësit merret në pyetje nga prokurorët e Tiranës
Habjon Hasani
Tiranë – Ish-kryeprokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, është paraqitur dje në Prokurorinë e Tiranës për herë të parë lidhur me hetimet që prokurorët e Task-Forcës kanë nisur mbi të pas kallëzimit të bërë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive. Kjo ka qenë seanca e parë e ballafaqimit, ndërsa mësohet se në harkun e rreth 40 minutave Ndoja dhe prokurorët kanë ballafaquar në mënyrë të përgjithshme të dhënat e ofruara nga ILKDP-ja dhe variantit të mbrojtur nga ish-kryeprokurori. Nga të dhënat që siguroi “Albania” mësohet se Ndoja në prani të avokatit të tij ka këmbëngulur se nuk ka kurrfarë pasurie të pajustifikuar nga ana e tij duke u treguar mëse i gatshëm të përballej me çdo pretendim të prokurorisë. Dy hetuesit e Task-Forcës që pyetën Ndojën janë treguar dje “non grata” ndaj çdo interesimi të medias, duke u treguar mëse të kujdesshëm dhe të rezervuar ndaj kësaj seance pyetësore. Pasi ka dalë nga prokuroria Ndoja është shfaqur i qetë, duke i thënë “Albania”-s se “gjithçka do të dilte shumë shpejt në dritën e së vërtetës dhe se ai nuk ka pasur asnjëherë asgjë për të fshehur”.
Bërrylat
Muajin e kaluar, pas “ekspertizës” që ILKDP-ja i bëri deklaratës së pasurisë së ish-kryeprokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet. Ky lloj hetimi përbënte një “risi” pasi kurrë më parë Inspektorati i Deklarimit të Pasurive nuk kishte treguar një vullnet kaq të madh ndaj një zyrtari të lartë. Inspektorati zgjodhi që të vepronte me vendosmëri ndaj rastit “Ndoja”, por nën zë shumë punonjës të organit të akuzës kanë pohuar se ka pasur një “luftë bërrylash” mes palëve në institucionin e Prokurorisë, duke pretenduar se hetimi ndaj Ndojës, më shumë se një veprim i natyrshëm procedural, mund të jetë një aksion i mirëmenduar nga njerëz të caktuar brenda organit të akuzës. Rreth 48 orë pasi Prokuroria nisi hetimin, ish-kryeprokurori Ndoja, në një konferencë të posaçme për shtyp, deklaroi publikisht dorëheqjen. Deklarata e tij ishte e thatë, duke mos lënë shteg të aludohej për ndonjë “konflikt të ftohtë” mes palëve në strukturat drejtuese të Prokurorisë, megjithëse shumë prokurorë e pohojnë pa komplekse se një gjë e tillë ka ndodhur realisht. Në fakt, asnjëherë më parë institucioni i ILDKP-së nuk është treguar kaq ofensiv në “ekspertimin” apo procedimin e deklarimit të pasurive të zyrtarëve, ndonëse në media janë publikuar të dhëna që janë siguruar pikërisht nga ky institucion, të cilat flasin për pasuri përrallore të disa zyrtarëve të lartë. Për “fatin e keq”, deri tani e ka pësuar vetëm një prokuror.
Reagimi
“Regjistrimi i këtij procedimi nga ana e Prokurorisë së kryeqytetit është në bazë të ligjit për prokurorinë dhe më jep të drejtë mua të jap dorëheqjen. Kjo nuk është shenjë dobësie, por është shenjë e karakterit personal dhe kurajë civile dhe qytetare. Dorëheqja është pjesë e një transparence të plotë, pasi unë kam menduar se kallëzimi penal në adresën time nuk ka bazë ligjore”, - tha Ndoja 48 orë pas fillimit të procedimit ndaj tij. Ndërkohë, në lidhje me kallëzimin e bërë nga ILDKP-ja, Ndoja ka deklaruar se do të shprehet më vonë, pas marrjes së vendimit nga Prokuroria. Por ai nuk ka ngurruar të theksojë gatishmërinë për t’u përballur ligjërisht edhe me dokumentacionet përkatëse. “Gjithë qëllimi i kësaj skeme plotësohet me realizmin e dorëheqjes sime”, - ka theksuar Ndoja.
10 Dhjetor 2008