Arratiset dhe Agim Karaj, një tjetër mjek i hetuar për mitmarrje
Tiranë - Brenda një jave prokuroria ka konstatuar “avullimin” e dy mjekëve të hetuar për mitmarrje, të cilët po gjykoheshin në kushtet e “arrestit të shtëpisë”. Dje prokurorët nuk kanë gjetur në shtëpi ish-shefin e Onkologjikut, Agim Karaj, ndërsa pesë ditë më parë, të njëjtën surprizë ua kishte rezervuar mjeku Ardian Nelaj. Ngjashmëritë janë si dy pika uji. Edhe mjeku Karaj ishte lënë në “arrest shtëpie” nga Gjykata e Shkallës së Parë gjatë vendimit të saj për masën e arrestit. Dje, në orën 9:00 të mëngjesit, prokurorët apeluan këtë vendim, ndërsa Gjykata e Apelit vendosi arrest me burg. Ndërsa policia shkoi në shtëpinë e Karajt, ajo që zbuluan ishin vetëm deklarimet e të afërmve, të cilët deklaruan se nuk kishin dijeni për vendndodhjen e tij. Të paktën deri dje vonë në darkë Prokuroria nuk dinte ç’të bënte me “petullën e nxehtë” që i ngeli për të dytën herë në dorë brenda një jave. Agim Karaj u arrestua një muaj më parë dhe u akuzua për mitmarrje. Ai ishte shef i Repartit të Onkologjikut në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Hetimi për këtë rast është bërë nga Antikorrupsioni dhe Task Forca, të cilat, pas të dhënave të mbledhura dhe hetimeve të kryera bënë edhe arrestimin e kirurgut. Ndalimi i tij erdhi vetëm pak ditë pas arrestimit të një tjetër mjeku, shefit të Klinikës së Spitalit të Burgut në Tiranë, Ardian Nelaj, i cili dyshohej gjithashtu për korrupsion. Sot që të dy ndodhen në “drejtim të paditur”. Që të dy mjekët u lanë në “arrest shtëpie” nga Gjykata e Shkallës së Parë, ndërsa për të dy vendimi për arrest me burg i Gjykatës së Apelit rezulton i pazbatueshëm, pasi ata nuk gjenden kurrkund. Vetë Karaj, kur është vënë në pranga dhe është pyetur nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore, ka bërë me dije se nuk kishte marrë asnjë ryshfet për të cilin edhe është akuzuar nga ana e Akuzës. Kirurgu 58 vjeç ka deklaruar se e kishin arrestuar kot dhe se nuk kishte marrë para. Sipas deklarimit të tij para oficerëve të Policisë Gjyqësore, të gjitha lekët të cilat i janë sekuestruar i kishte marrë se i duheshin për të blerë disa gjëra për në shtëpi.
10 Dhjetor 2008