Amerika pret Obamën me një ceremoni “të çmendur”
Të martën, më 20 janar, Barak Obama do të bëjë betimin si President i SHBA-ve. Në ceremoni pritet të marrin pjesë rreth 4 milionë persona dhe për këtë arsye ajo do të jetë një nga ceremonitë më të mëdha dhe më të kushtueshme të zhvilluara ndonjëherë. Përgatitje të mëdha po kryhen në Uashington për ditën e inaugurimit dhe metafora më e gjetur është ajo se “Amerika është çmendur pas këtij evenimenti”. Ceremonia do të jetë më e madhja, më e çuditshmja dhe ndoshta më spektakolarja. Për Obamën parashikohet një shifër rekord pjesëmarrësish. 120 mijë persona në orë do të transportohen nga metrotë. Presidenti që do të lërë postin, Xhorxh Bush, pas zhvillimit të ceremonisë do të niset direkt drejt Teksasit, ku do të jetojë në fermën e tij. Ai po përjeton orët e fundit si banor i Shtëpisë së Bardhë. Mbrëmjen e djeshme ai mbajti fjalimin e lamtumirës para kombit amerikan që e mandatoi dy herë në postin e presidentit. Fjalimi i Bushit ishte më tepër se një ligjëratë lamtumire dhe zgjati 15 minuta. Presidenti falënderoi kombin dhe ushtarët, foli për të ardhmen dhe të kaluarën e Shtëpisë së Bardhë. Bush mendon se e ka mbajtur vendin të sigurt nga sulmet terroriste dhe ka bërë reforma në arsim, ndërsa kritikët vlerësojnë se Bush shpërdoroi besimin e njerëzve pas 11 shtatorit, bëri luftën në Irak dhe reagoi dobët ndaj pasojave të uraganit “Katrina”.
Gaza, tanket izraelite hyjnë në zonat e banuara
Kompleksi i OKB-së në Rripin e Gazës u përfshi nga flakët
Tre punonjës të organizatës u plagosën dhe u pezullua shpërndarja e ndihmave
Blerina Olldashi
Hamasi pranoi planin për paqe të propozuar nga Egjipi. Megjithatë, kjo nuk ka ndikuar në sulmet izraelite, të cilat po përparojnë me shpejtësi në Rripin e Gazës. Gjatë ditës së djeshme, tanket izraelite goditën dhe hynë për herë të parë që nga fillimi i ofensivës. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara bënë të ditur se kompleksi i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë në qytetin e Gazës u përfshi nga flakët pasi u godit nga artileria izraelite. Tre punonjës të OKB-së u plagosën nga sulmi dhe agjencia për refugjatët pezulloi aktivitetin dhe shpërndarjen e ndihmave mjekësore e ushqimeve, pasi kamionët e tyre nuk u larguan dot nga ndërtesa. Ajo u godit nga predhat e artilerisë, ndërsa brenda saj ndodhen edhe zyrat e disa agjencive lajmesh, ndërsa spitali i Gazës u përfshi nga flakët e zjarrit. Dy kameramanë palestinezë u plagosën nga sulmet, - deklaruan disa deshmitarë. Ata shtuan se nga dritaret dhe ballkonet e shtëpive mund të shihen luftimet mes Hamasit dhe tankeve izraelite, pasi ushtarët kanë depërtuar thellë në qytet. Zyrtarët izraelitë thanë se ndërtesa e Kombeve të Bashkuara nuk është në shënjestër të sulmeve. Mundësitë për armëpushim po i rishqyrton edhe Iraeli dhe për këtë arsye një zyrtar shkoi në Kajro për bisedime mbi një plan të mirëfilltë të negociuar nga Egjipti. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, tha dje në një vizitë në Izrael se numri i viktimave nga konflikti në Gaza është i papranueshëm. Sipas njoftimeve, luftimet kanë shkaktuar vdekjen e mbi një mijë palestinezëve, përfshirë 300 fëmijë. 14 izraelitë janë vrarë. Izraeli thotë se ofensiva e tij ka si synim të ndalë sulmet me raketa të Hamasit ndaj Izraelit Jugor. Ndërkohë, në lidhje me predhën e hedhur në ndërtesën e OKB-së nga e cila u plagosën tre veta, Ban Ki Mun tha se ishte i indinjuar nga ky veprim. Sekretari i Përgjithshëm tha se vuajtjet në Gaza kishin arritur në një pikë mjaft kritike. Sulmi mbi ndërtesën e OKB-së ndodhi ndërsa tanket izraelite avancuan në Gaza. Ban ka kërkuar shpjegime të plota nga Izraeli rreth sulmit, i cili, sipas punonjësve vendorë të OKB-së, shkaktoi zjarrin e një depoje dhe plagosi tre persona. “Kam pasur një bisedë telefonike me ministrin izraelit të Mbrojtjes, i cili më tha se ishte një gabim shumë i rëndë dhe se ai e kishte marrë shumë seriozisht”, - tha Ban Ki Mun.
16 Janar 2009