E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miliband: “Politika britanike kundër asaj amerikane”



Sekretari i Jashtëm britanik, Dejvid Miliband, ka kritikuar ashpër nocionin e luftës mbi terrorizmin duke e quajtur atë të gabuar. Ai tha se strategjia e SHBA-ve ka qenë kundërproduktive, duke bashkuar grupe të ndara dhe duke i ndihmuar ata të gjejnë një kauzë të përbashkët kundër Perëndimit. Miliband gjithashtu distancoi veten nga mbështetja te armët ushtarake. Ai bëri të ditur një shkëputje të pastër me një politikë përcaktuese të administratës së Bushit, por kritikët vënë në dukje se kjo ka ndodhur vetëm disa ditë para se z. Bush të largohet nga posti.

Rusia dhe BE-ja, samit për krizën e gazit

Presidenti rus, Dimitri Medvedev, ka propozuar një samit ditën e shtunë me pjesëmarrjen e vendeve europiane, që furnizohen nga gazi rus apo e transportojnë atë përmes territorit të tyre.
“Së pari, duhet t’i japim fund këtij konflikti dhe të ndihmojmë Ukrainën të marrë disa vendime të nevojshme teknologjike. Së dyti, nevojitet të diskutojmë çështjen se si të shmangim konflikte të tilla në të ardhmen me idenë që të mos bëhemi peng i një situate politike në vende të tjera”,- tha presidenti rus. Ideja u mirëprit nga Ukraina, e cila nuk është dakord me vendin ku do të zhvillohet samiti, që është Moska. Një përplasje mes Rusisë dhe Ukrainës ka rezultuar në mbylljen e tubacioneve që transportojnë gazin rus për në Europë, gjë që ka lënë qindra mijëra veta pa ngrohje në mes të dimrit. Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, i ka këshilluar kompanitë europiane të Energjisë që të padisin dy vendet për shkelje të kontratës nëse furnizimet me gaz nuk rifillojnë menjëherë.

Serbia i dorëzon KE-së raportin për trafikun e organeve

Prokurori serb për Krime lufte, Vladimir Vukceviç, ka dorëzuar në zyrën e Këshillit të Europës në Beograd një raport për trafik organesh të kryer në veri të Shqipërisë. Lajmi u bë i ditur nga agjencia e lajmeve Beta, duke cituar zyrën e prokurorit. Ky raport, sipas të cilit në veri të Shqipërisë është kryer trafik organesh me viktimat serbe, do t’i dorëzohet më pas të dërguarit special të Këshillit të Europës për Çështjet e Trafikut të Organeve, Dik Marti, i cili do të vizitojë së shpejti Beogradin. Prokurori serb nisi hetimet për trafik organesh të shtetasve serbë në veri të Shqipërisë kur ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte, shkruante në librin e saj “Gjuetia e fundit” se ekziston një raport “i besueshëm” mbi fatin e ushtarëve serbë në këtë zonë. Del Ponte tha se hetimet e saj u ndërprenë për shkak të mungesës së fakteve dhe rezistencës së disa figurave më të vjetra në OKB.

16 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›